Obiliqi merr vendim për moshapjen e çerdheve nesër
Pak kohë pasi kryeministri në detyrë dhe ministri i Shëndetësisë, Albin Kurti, respektivisht Arben Vitia, dhanë detajet për fazën e tretë të lehtësimit të masave kundër koronavirusit, e ku u përfshinë edhe hapja e çerdheve nga data 1 qershor, kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte i shpejtë në reagim.
Ai kërkoi nga prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në çerdhet publike dhe në ato me bazë në komunitet, pasi, siç tha ai, ka mungesë informatash për funksionimin e tyre në këtë kohë. Ndaj këtij vendimi të ekzekutivit ka reaguar edhe kryetari kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
Përmes një postimi në Facebook, ai i ka njoftuar prindërit, që çerdhet publike nuk do të hapen nesër. “Si rrjedhojë e dilemave të shumta, lidhur me rihapjen e institucioneve parashkollore për grupmoshat 0-5 vjeç, pas konsultimit me drejtorin e DKA-së dhe drejtoreshën e IP ‘Rrita e Jonë’, vlerësuam se objekti i çerdhes duhet t’i nënshtrohet parapërgatitjes dhe procesit të dezinfektimit, pasi që për një kohë të gjatë ka qëndruar i mbyllur. Si rezultat i kësaj, në Komunën e Obiliqit rihapja e çerdheve nuk do të ndodhë nesër”, deklaroi Gashi.
Ai tha se për çdo njoftim të ri, prindërit do të njoftohen me kohë.