Ahmeti kërkon nga prindërit mos t’i dërgojnë nga nesër fëmijët në çerdhe publike

Ahmeti kërkon nga prindërit mos t’i dërgojnë nga nesër fëmijët në çerdhe publike

Aktuale May 31, 2020 - 21:19

Pas vendimit të marrë nga ana e Qeverisë për lehtësimin e masave kundër COVID-19, ku në to përfshihet edhe rihapja e çerdheve, ka reaguar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ka përmendur rregullat që duhet ndjekur. “Sot në konferencë për media të qeverisë u fol edhe për rihapjen e çerdheve. U përmenden dy data, 1 qershor dhe 8 qershor. Po ashtu u përmenden edhe rregullat strikte për çerdhet. Por nuk kemi marr asnjë informatë zyrtare e as informatë mbi rregullat”, thotë ai, raporton Zeri.info.

Ahmeti tutje ka shkruar se pret nga Ministria e Arsimit që sonte të qartësojë situatën dhe rregullat që duhen ndjekur.

Kryetari i Prishtinës gjithashtu ka porositur prindërit që fëmijët e tyre mos t’i dërgojnë në çerdhe derisa të merren vendimet dhe rregullat nga niveli qendror. “Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri t’i marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë. Çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje”, ka përfunduar Ahmeti.