Hoxhaj: Reciprociteti me Serbinë të arrihet në koordinim me aleatët, e jo me spektakle të mesnatës

Hoxhaj: Reciprociteti me Serbinë të arrihet në koordinim me aleatët, e jo me spektakle të mesnatës

Aktuale May 31, 2020 - 21:08

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova ka arritur që të jetë shtet i pavarur duke iu falënderuar miqve ndërkombëtarë dhe se arritjet e vendit janë sukses i përbashkët me aleatët, transmeton Zeri.info

Andaj, sipas tij, aktorët politikë duhet të sillen si partnerë seriozë të ndërkombëtarëve, e jo mashtrues. “Reciprociteti i plotë me Serbinë arrihet përmes koordinimit me aleatët, me në krye SHBA-në. E jo përmes veprimeve ‘klandestine’ duke aktruar dhe bërë spektakle në mesnatat e fundit sikurse veproi qeveria në ikje Kurti. Kosova është shtet i pavarur dhe i barabartë në rajon, duke ju falënderuar ndihmës dhe bashkëpunimit të sinqertë dhe konstruktiv me miqtë ndërkombëtarë. Arritjet tona, janë sukses i përbashkët me aleatët, andaj edhe duhet që të sillemi partner serioz dhe jo si mashtrues. Nga premtimi para një jave për gatishmërinë e rifillimit sa më të shpejt të dialogut, kryeministri u kthye mbrëmë në mesnatë në njeriun që nuk i intereson e ardhmja e Kosovës por vetëm e ardhmja e tij personale politike”, tha Hoxhaj në një postim në Facebook.

Deputeti i PDK-së tutje ka theksuar se dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të jetë përgjegjësi e secilës qeveri, pasi që përmes tij dhe mbështetjes ndërkombëtare, Hoxhaj tha se vendi ka arritur që ta shtrijë sovranitetin në Veri dhe zbatimin e masave reciproke ndaj Serbisë.

Në fund Hoxhaj ka shkruar se reciprociteti i plotë dhe njohja e ndërsjellë do të arrijë në koordinim dhe përkrahje të SHBA-ve dhe BE-së. “Edhe reciprociteti i plotë dhe njohja e ndërsjellë do të arrihet në koordinim dhe përkrahje të SHBA-së dhe BE-së, ashtu siç e kemi shpallur Pavarësinë, formuar ushtrinë dhe siguruar njohje e anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, përfundoi ish ministri.