Nga nesër hapen çerdhet

Nga nesër hapen çerdhet

Aktuale May 31, 2020 - 19:08

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi për lehtësimin e masave që kishin për qëllim luftimin e përhapjes së koronavirusit.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se nga nesër nis hapja e kopshteve dhe çerdheve.

“Nga nesër fillojmë me hapjen e kopshteve dhe çerdheve nga 0 deri 5 vjet, pastaj organizimi dhe përgatitjet për klasat e 9-ta, prej 8 qershor, ndërsa klasat e 12-ta prej 15 qershor. Hapen kufijtë e Kosovës por të gjithë ata që hyjnë, duhet të bëjnë testin. Hapen kafenetë nga nesër dhe qendrat tregtare në Republikën e Kosovës. Të gjitha udhëzimet e IKSHKP-së të ndiqen me vëmendje edhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Kurti, raporton Zeri.info.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se IKSHPK, bashkë me MSH-në, kanë bërë analiza të përditshme dhe nga rekomandimet e fundit kanë bërë të ditur se ka filluar reduktimi i COVID-19.

Ai tha po ashtu se pas 1 jave mund të hapen edhe kufijtë ajrorë. Edhe taksistët do të fillojnë aktivitetin e tyre, por me masa mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së.

“Rreziku nuk ka kaluar ende, nuk ka as barna as vaksina, sepse ende nuk janë zbuluar ato, por tani e dimë që tani mund t’i përshtatemi realitetit të ri”, potencoi Vitia.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë bëri me dije po ashtu se nga nesër hapen pikat kufitare në Merdarë, Vërmicë, Han i Elezit, Dheu i Bardhë dhe Jarinje. “Në pikat kufitare do t’i zbatojnë masat mbrojtëse, të gjithë ata që posedojnë test negativ ndaj COVID-19, nuk i nënshtrohen vetizolimit”, theksoi Vitia. /Zëri