Shkarkim-ngarkim edhe në Bordin e KRU “Gjakova”
Foto: KRU

Shkarkim-ngarkim edhe në Bordin e KRU “Gjakova”

Aktuale May 31, 2020 - 01:33

Pas shkarkimeve të mëhershme të bordeve në PTK, Ifrakos, KEK, "Ibër Lepenc" e "Hidroregjioni Jugor", Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në orët e vona të së shtunës, mes vendimeve tjera, ka marrë vendimin edhe për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” Sh. A, raporton Zeri.info.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve në këtë përbërje: Robert Lekaj, kryesues dhe drejtor; Luan Matoshi, drejtor; Miranda Zherka, drejtore; dhe Urim Gashi, drejtor.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin me të cilin është emëruar Shpend Gjugja, drejtor në Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc” Sh. A.

Ndërkaq, Qeveria, pas shqyrtimit të kërkesës së Lotarisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e obligimeve ndaj pagave bruto si dhe kontributit pensional të punëdhënësit për punonjësit e Lotarisë së Kosovës Sh.A., ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 151,299.95 euro për pagesën e obligimeve për periudhën që nga ndalimi i aktivitetit sipas Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit e deri me 30 prill 2020.

Po ashtu, me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin me të cilin ka vazhduar afatin e paraparë për paraqitje të raportit nga Grupi i ekspertëve të pavarur për dizajnimin dhe përgatitjen e parimeve për reformën e Vetingut në sistemin e drejtësisë, deri më 10 korrik 2020.

Në këtë mbledhje, miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve dhe Bashkimit Evropian, përfaqësuar nga Komisioni Evropian, lidhur me marrëveshjen “Asistenca Makrofinanciare për Kosovën”.

Kredia kap vlerën prej 100 milionë eurove dhe do të ketë afat të kthimit deri në 15 vite.