Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Ndryshon vendimi për reciprocitetin tregtar me Serbinë
Foto: Zëri / ilustrim

Ndryshon vendimi për reciprocitetin tregtar me Serbinë

Aktuale May 31, 2020 - 01:24

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje online në orët e vona të së shtunës, ku ka marrë vendim për të ndryshuar dhe plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Siç bën me dije Qeveria në njoftimin dërguar mediave, plotësim-ndryshimi i vendimit të mëhershëm për marrëdhëniet tregtare me Serbinë, nënkupton ndalimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë obligohet të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Vendimi, sipas njoftimit, mbetet në fuqi për afat të pacaktuar, ndërsa nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi, por vetëm në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare.