Sot falet xhumaja e parë, pas më shumë se dy muaj pezullim

Sot falet xhumaja e parë, pas më shumë se dy muaj pezullim

Aktuale May 29, 2020 - 08:02

Pas më shumë se dy muaj pezullim, sot do të falet xhumaja në të gjitha xhamitë e vendit.

Mirëpo Bashkësia Islame e Kosovës ka ndërmarrë disa masa.

Në kuadër të masave për t’u mbrojtur nga rreziku i infektimit nga virusi COVID-19, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka rekomanduar që komunat më të mëdha, si Prishtina, Podujeva, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Peja, Prizreni e Gjakova, të organizojnë faljen e namazit të xhumasë dy herë, ku imamët dhe xhemati njoftohen për këtë çështje. Kjo bëhet në xhaminë qendrore të komunave, si dhe në ndonjë xhami tjetër që frekuentohet më shumë nga xhemati.

“Myftiu Tërnava po ashtu ka kërkuar nga besimtarët që t’u përmbahen udhëzimeve dhe rekomandimeve të BIRK- ut dhe institucioneve shëndetësore në lidhje me ruajtjen e shëndetit publik nga virusi COVID-19, duke treguar kujdes kur të shkojnë në xhami, duke ruajtur distancën sociale, t’i vendosin maskat, të marrin abdes në shtëpi, si dhe ka kërkuar që të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike të mos frekuentojnë xhaminë, që të ruajnë shëndetin e tyre, si dhe të të tjerëve. Ligjërata e së premtes nuk do të zgjasë më shumë se dhjetë minuta”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.