Përfundon e qetë protesta e LVV-së
Foto: Laura Hasani

Përfundon e qetë protesta e LVV-së

Aktuale May 28, 2020 - 16:48

I plotësuar-17:44

Prova për protestë e Lëvizjes Vetëvendosje ka përfunduar e qetë, pas thirrjeve të protestuesve “Duam Zgjedhje”.


I plotësuar- 17:38

Protestuesja: Nëse Gjykata vendos në favor të LDK-së, protestojmë sërish

Prova për protestë e Lëvizjes Vetëvendosje është duke u mbajtur nën thirrjet “Duam Zgjedhje”.

Advije Morina, protestuese në sheshin “Skënderbeu”, thotë se e vetmja mundësi janë zgjedhjet e reja, ndërsa protestën e sotme nuk e sheh si presion ndaj vendimit që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese, raporton Zeri.info.

“Jemi dal të protestojmë për shkak të shkeljes së Kushtetutës. Nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të LDK-së, duhet të protestohet përsëri. Mundësia e vetme është shkuarja në zgjedhje. Presidenti e ka shkelur Kushtetutën. Kjo protestë nuk është presion ndaj vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese”, thotë Morina.


I plotësuar- 17:19

Manxhuka konfirmon se janë mbledhur mbi 2 mijë protestues

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka konfirmuar për “Zërin” se janë mbledhur mbi 2 mijë qytetarë deri tani në provën për protestë.

“Pjesëmarrësit në këtë provë janë të të gjitha qyteteve, janë struktura dhe aktivistë të VV-së. Transportimi i tyre është bërë në mënyra të ndryshme, gjithmonë duke respektuar rregullat e IKSHKP-së”, tha ai, raporton Zeri.info.

“Nuk mund të them se sa do të zgjasë. Deri tani janë mbi 2mijë qytetarë të mbledhur në këtë protestë”, ka thënë Manxhuka për “Zërin”.

Mbi dy mijë qytetarë të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” janë duke iu përmbajtur rregullave të IKSHPK-së duke mbajtur distancën sociale mes njëri-tjetrit. Ata po brohorasin emrin e Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe thirrje “Duam zgjedhje”. Momentalisht, gjithçka është duke shkuar qetë.

Në duar ata janë duke mbajtur edhe parulla në të cilat shkruan “Në anën e drejtësisë e Jo të presidentit”.


I plotësuar-17:08

Pankartat “MeAlbininShtet” dominojnë në protestën e LVV-së

Përkundër reshjeve të shiut, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhjetëra persona kanë dalë për të protestuar.

Me pankarta ku shkruhet “meAlbininShtet”, duke respektuar distancën fizike, protestuesit po presin të fillojë protesta e paralajmëruar prej orës 17:30 deri më 19:00, raporton “Zëri”.

Kujtojmë se kjo protestë po mbahet në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi eventual të Gjykatës Kushtetuese që do të mandatonte LDK-në për formimin e qeverisë.


I plotësuar- 17:00

Edhe avokati Tomë Gashi në protestën e LVV-së 

Prova për protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër një vendimi eventual të Gjykatës Kushtetuese që do t’i jepte mundësi mandatarit të dytë sipas rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit të formonte qeverinë e re, në këtë rast LDK-së, për pak pritet të fillojë.

Avokati Tomë Gashi, për “Zërin” pohoi se do të marrë pjesë në protestë.

Po, do të marr pjesë në protestë”, tha shkurt Gashi për “Zërin”.

Distanca fizike pritet të respektohet nga protestuesit duke qëndruar në shënjimet me ngjyrë të vendosura ditë më herët nga Organizata për Mbikëqyrjen e Cilësisë së Arsimit publik, ORCA.

Gjykata Kushtetuese pritet që deri nesër të marrë vendim në lidhje me kërkesën për interpretim bërë se kujt duhet t’i takojë mundësia për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se pjesëmarrës në provën për protestë, pritet të jenë rreth 5,000 persona.

Image

Fillon grumbullimi i protestuesve të LVV-së

Ka filluar grumbullimi i njerëzve për protestën e organizuar nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosjes.

Protesta është paraparë të fillojë në orën 17:00, ani pse momentalisht shihen qindra aktivistë, të cilët janë grumbulluar në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës, raporton Zeri.info.

“Zëri” do t’ju mbajë të informuar rreth ngjarjes.

Image