Rifillimi i dështuar i linjave të transportit ndërurban

Rifillimi i dështuar i linjave të transportit ndërurban

Aktuale May 28, 2020 - 08:10
Image

Pandemia COVID-19 e la të mbyllur Kosovën për pothuajse dy muaj. Si pasojë e kësaj shumë qytetarë nuk vazhduan punën e tyre dhe kjo kohë bëri që vendi të ketë vështirësi ekonomike.

Humbje ekonomike pësuan edhe autobusët ndërurbanë.

Pavarësisht vendimit për hapjen e transportit rrugor nga 18 maji, shumë linja ndërurbane nuk po funksionojnë me orar të rregullt. Kjo pasi rregullat e vendosura nga institucionet shëndetësore, që nuk lejojnë më shumë se 20 udhëtarë njëkohësisht, duket se nuk po u konvenojnë kompanive, shkruan “Zëri”.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, deklaroi për “Zërin” se mungesa e udhëtarëve ka qenë pengesë për rifillim të punës të transportit rrugor.

“Sigurisht që kufizimi i lirisë së lëvizjes për qytetarët ka qenë një pengesë e madhe në rifillimin e punës në sektorin e transportit rrugor. E dini sa aktivitete i kemi bërë ne si shoqatë dhe si Odë Ekonomike për të rifilluar punën në sektorin e transportit rrugor, duke pasur parasysh kërkesat e shumta të qytetarëve në mungesë të transportit me autobusë nga qytetet e ndryshme të Kosovës dhe sigurisht mungesa e udhëtarëve është ndier dhe humbjet janë shumë të mëdha gjatë këtyre ditëve të operimit për operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve në komunikacion”.

Sipas tij, dëmet që ka pësuar sektori i transportit rrugor kanë arritur në shifrën e 50 milionë eurove.

“Kemi folur për 50 milionë euro dëme dhe gjithmonë kemi folur për shënime të sakta nga ana e Ministrisë, që i kemi marrë për dy mijë autobusë, të cilët kanë qëndruar jashtë vendeve të tyre të punës. Gjithmonë kemi folur për 10 mijë të punësuar direkt në sektorin e transportit rrugor dhe kemi folur gjithmonë për shumë të saktë të rreth 500 operatorëve, të cilët posedojnë autobusë”, u shpreh më tej Kurtishaj.

Kreu i kësaj shoqate thotë se ndihma nga ana e Qeverisë, përmes Pakos Emergjente Fiskale, nuk ka funksionuar për këtë sektor, duke çuar në falimentim disa biznese të këtij sektori.

“Për shkak të pakos joprofesionale nga ana e Qeverisë kemi ardhur deri te falimentimi i shumë bizneseve të këtij sektori”, potencoi kreu i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj.

Pakënaqësi kishte edhe nga kompania “Shpejtimi”, që mban linjën Prizren-Prishtinë. Ata thanë për “Zërin” se nëse nuk ka udhëtarë për transport, nuk do të kenë llogari t’i mbajnë linjat e lëshuara në qarkullim.

“Një ndër arsyet është, patjetër, kufizimi i numrit të udhëtarëve, mirëpo ndikon edhe mbyllja e fakulteteve, pasi shumicën e punës e kemi me studentë. Pastaj janë mbyllur edhe ambasadat, ministritë dhe shumica e punëtorëve që lëvizin nga Prizreni në Prishtinë kanë ndërprerë punën”, ka thënë shoferi i një autobusi të kësaj kompanie, Leutrim Veseli, për “Zërin”.

Ai po ashtu thotë se në qoftë se vazhdon puna duke mos pasur udhëtarë, atëherë nuk do të kenë llogari që t’i mbajnë linjat e tyre. Kjo edhe përkundër ndihmës së Qeverisë, të cilën kompania e quan të pamjaftueshme.

“Menaxheri na ka vendos që me i mbajt linjat rregullisht për arsye se disa pasagjerë që po udhëtojnë po kanë probleme të udhëtimit dhe për këtë arsye ne kemi vendos që me qenë sa më afër klientelës sonë dhe shpresojmë që nga e enjtja të rritet edhe numri i pasagjerëve për arsye se nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë ne nuk kemi llogari me i mbajt linjat. Ndihmën po e kemi prej qeverisë, ajo është shumë e vogël dhe për këtë arsye varet prej pasagjerëve si do të funksionojnë këto linja”, është shprehur ai.

Ndërsa sa i përket rritjes së çmimeve të biletave të autobusëve ka folur edhe shoferi i autobusëve të linjës Gjilan-Prishtinë, Hajrush Kastarti. Ai ka thënë se pagesa për këtë linjë vazhdon të jetë e njëjta si më parë.

“Pagesa është e njëjtë sikur qysh ka qenë, dy euro është për pasagjerë të zakonshëm dhe për studentë 1 euro e gjysmë”, ka thënë Kastrati për “Zërin”.

Po ashtu për mungesë të autobusëve është ankuar edhe Bledar Kuqi, i cili udhëton nga Suhareka për në kryeqytet. Ai për “Zërin” ka thënë që këtyre ditëve të fundit po ka linja të rregullta të udhëtimit, ndonëse s’ka qenë njëjtë ditëve para 18 majit.

I njëjti nuk e ka mohuar që po ka vështirësi për të udhëtuar, teksa ka shtuar se çmimin e biletës është duke e paguar si më parë.

Kujtojmë se faza e dytë e lehtësimit të masave antikoronavirus, sipas planit të Ministrisë së Shëndetësisë, ka filluar nga e hëna e javës së kaluar, 18 maj. Përpos transportit urban dhe ndërurban, me leje të veçanta masat parashihnin rihapjen e floktarëve dhe të salloneve të bukurisë, të stomatologëve dhe të fizioterapeutëve, të tregtarëve me pakicë dhe të tregjeve të gjelbra, të restoranteve dhe të kafeneve me sistemin e sportelit, të transportit hekurudhor, të qendrave të thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe hapjen e galerive të artit dhe muzeve. /Zëri