Policia i ka dhënë leje VV-së për protestën e nesërme

Policia i ka dhënë leje VV-së për protestën e nesërme

Aktuale May 27, 2020 - 15:50

Sheshi kryesor i Prishtinës nesër pritet të pranojë rreth 5000 persona në shenjë proteste ndaj një vendimi eventual të Gjykatës Kushtetuese që do t’i jepte të drejtë mandatarit nga LDK-ja të formojë qeverinë e re.

Prova për protesta e paralajmëruar nesër nga Lëvizja Vetëvendosje nga ora 17:00 deri në 19:00, do të monitorohet nga Policia e Kosovës.

Pas deklarimeve nga LVV-ja se është marrë leje për provën e protestës, këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për “Zërin”.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, thuhet nga Policia, transmeton Zeri.info.

Tutje policia paralajmëron se do të respektohen të gjitha vendimet në fuqi lidhur me masat për mbrojtje ndaj pandemisë COVID-19.

“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetin publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”, theksojnë ata.

Afati i fundit kohor kur pritet të marrë vendim Gjykata Kushtetuese në lidhje me mandatarin për formimin e qeverisë së re, është 29 maj, ditë e premte.