Tri shtatzëna të prekura me COVID-19 në QKUK sjellin në jetë foshnjat e shëndosha

Tri shtatzëna të prekura me COVID-19 në QKUK sjellin në jetë foshnjat e shëndosha

Aktuale May 27, 2020 - 15:43

Në Klinikën Gjinekologjike në QKUK, javën e kaluar, janë kryer tri lindje, ku nënat e këtyre foshnjave gjatë periudhës së fundit të shtatzënisë kanë rezultuar pozitive me sëmundjen COVID-19.

Pas lindjes testimi për këtë sëmundje u është bërë edhe nënave dhe foshnjave, të cilat bashkë kanë rezultuar negative dhe gjendja e tyre shëndetësore tashmë është stabile, shkruan “Zëri”.

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike në QKUK, Jakup Ismaili, e ka konfirmuar për “Zërin” se edhe foshnjat e porsalindura e edhe nënat e tyre janë në gjendje të mirë dhe kanë rezultuar negative ndaj COVID-19.

“Gjatë javës së kaluar tri nëna të reja kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre. Gjendja shëndetësore e nënave dhe e bebeve është stabile. Dy lindje janë kryer si lindje normale e një me operacion. Ne ua kemi bërë testin COVID-19 foshnjave. Ato kanë rezultuar negative. Nënat bashkë me foshnjat janë liruar për në shtëpi, pasi kanë rezultuar bashkë negative”, tha Ismaili për “Zërin”.