Infektuar: 4307
Shëruar: 2095
Vdekur: 94
LVV-ja konfirmon se nesër do t’i nxjerrë në shesh rreth 5 mijë aktivistë

LVV-ja konfirmon se nesër do t’i nxjerrë në shesh rreth 5 mijë aktivistë

Aktuale May 27, 2020 - 12:12

Lëvizja Vetëvendosje ditën e nesërme, me fillim në orën 17:00, pritet të zhvillojë një provë të dytë për të protestuar kundër zhvillimeve në vend.

Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarët e aktivistët, performaca e dytë parashihet të përbëhet nga 3500 deri në 5000 persona.

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarë e aktivistë, ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë, por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”, ka thënë Manxhuka për “Zërin”.

Tutje, zëdhënësi i LVV-së ka thënë se për këtë zhvillim janë njoftuar edhe organet e rendit.

“Në këtë mënyrë për të qenë korrekt dhe përbrenda rregullave e udhëzimeve me organet e rendit ne kemi dorëzuar edhe njoftimin te ta”, tha ai.

Se a konsiderohet kjo “performancë” presion për Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet që këtë javë ta publikojë vendimin për çështjen e dekretit të propozuar nga presidenti Hashim Thaçi, ai tha për “Zërin” se Gjykata Kushtetuese ka referencë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interpretimin e saj.

“Gjykata Kushtetuese të vetmen referencë e ka Kushtetutën e Republikës dhe në këtë drejtim interpretimin e saj. Prova janë bërë edhe më herët dhe më shumë kanë pasur për qëllim formën se si duket një protestë në rrethana të reja, në kushte pandemie”, përfundoi ai. /Zëri