Infektuar: 9274
Shëruar: 5190
Vdekur: 269
Daçiqi thotë se veprimet e Malit të Zi çojnë në konflikt

Daçiqi thotë se veprimet e Malit të Zi çojnë në konflikt

Aktuale May 27, 2020 - 12:07

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbisë nuk i intereson hegjemonia ndaj Malit të Zi dhe se kjo nuk është pjesë e mendësisë së Serbisë.

Ai tha se çështja më me rëndësi në mes të dy vendeve është nëse dy popujt do të bashkëpunojnë ose do të përleshen mes vete, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”.

Daçiqi ndërkaq tha se sjellja e Malit të Zi çon në konflikt.

Duke komentuar vendimin e Malit të Zi për hapjen e kufijve me fqinjët, por jo edhe me Serbinë, kryediplomati serb tha se këtë vit do të ketë më pak turistë serbë atje.

I pyetur në lidhje me moslejimin e aterrimit të “Montenegro Airlines” në aeroportin e Beogradit, Daçiqi tha se këtu kemi të bëjmë me reciprocitet.

“Kjo s’ka lidhje me vendim politik. Nëse aviokompania jonë nuk mund të aterrojë atje, natyrisht se ndërmerren masat e reciprocitetit”, tha Daçiqi, transmeton “Zeri.info”.

Ministri serb thotë po ashtu se të gjithë funksionarët e Malit të Zi janë shkolluar në Serbi, ndërsa tha se “gjithçka që kanë bërë ata, kanë bërë kundër Serbisë – e kanë njohur edhe pavarësinë e Kosovës”.

“Ndoshta s’ju intereson juve kur Swazilandi njeh Kosovën, por kur Mali i Zi e bën këtë, kjo është goditje në luftën e përbashkët që e kemi pasur”, tha Daçiqi.

I pyetur nëse mundet Serbia t’i mbrojë pronat e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në territorin e Malit të Zi, Daçiqi tha se këtë s’mundet ta bëjë, por tha se mundet t’i ofrojë ndihmë popullit serb dhe KOS-it. /Zëri