Haziri: Rasti i sotëm pozitiv me COVID-19 në Gjilan nuk ka pasur kontakt me askënd për 60 ditë, duhet të ritestohet

Haziri: Rasti i sotëm pozitiv me COVID-19 në Gjilan nuk ka pasur kontakt me askënd për 60 ditë, duhet të ritestohet

Aktuale May 26, 2020 - 22:48

Pas lajmërimit të një rasti të ri pozitiv me sëmundjen COVID-19 në Gjilan, kryetari I kësaj komune, Lutfi Haziri ka vënë në pikëpyetje këtë rezultat.

Kjo pasi, sipas tij, personi që doli pozitiv me koronavirus, ka 60 ditë që s'ka pasur asnjë kontakt me askënd.

Për “Zërin”, Haziri ka thënë se personi në fjalë pandeminë e ka kaluar në Kosovë, ndërsa para 60 ditësh kishte ardhur nga Zvicra.

Sipas tij, rasti duhet të ritestohet pasi që ai përgjatë 60 ditësh nuk është takuar me askënd.

“Nuk ka dyshime, por me vet faktin që nuk ka burim të infeksionit edhe nuk ka kurrfarë kontakti, ai ka jetuar që 60 ditë vet sepse ka ardhë nga Zvicra, e pandeminë e ka kaluar në Gjilan. Ai ka bërë kërkesë vullnetare për testim për shkak të udhëtimit për në Zvicër edhe ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Në raste të tilla ritestimi ndodh gjithmonë për konfirmim”, tha Haziri për “Zërin”.

Haziri, në një postim në Facebook, tha se gjilanasi që doli sot pozitiv, do të ritestohet sërish nesër, përcjell “zeri.info”.

“IKSHP na njoftoi se në Gjilan e kemi një rast të ri pozitiv me Covid-19. Bëhet fjalë për një bashkatdhetar tonin, i cili ka pasur të udhëtojë nesër për në Zvicër dhe me kërkesën e tij i është nënshtrur testimit. Të nesërmen do të ritestohet sërish, por t’u konfirmuar nëse është fjala për ndonjë gabim njerëzor apo vërtet është pozitiv me këtë virus”, ka shkruar Haziri.

Ai më tutje ka deklaruar se janë intensivisht të përkushtuar për të mbyllur edhe rastin e fundit me COVID-19 në këtë komunë.

“Përndryshe, nga 31 persona sa kanë qenë aktivë, 11 janë shëruar plotësisht dhe 21 i kemi aktivë me Covid19. Po punojmë që edhe rastin e fundit ta mbyllim sa më shpejt”, ka shkruar Haziri.

Në po të njëjtin postim, kreu i komunës së Gjilanit ka folur edhe në lidhje me hapjen e objekteve fetare, vendim pas të cilit ai ka ndërmarrë masat duke bërë dezinfektimin e këtyre objekteve, përcjell “Zëri”.

Më këtë rast ai ka kërkuar kujdes nga qytetarët në mënyrë që hapja e shkollave, e ekonomisë dhe sektorit privat të jetë më e sigurt dhe pa pasoja të mundshme në përhapjen e këtij virusi.

“Ndërkohë, lajmi për hapjen e xhamive dhe kishave për besimtarët, na ka gëzuar shumë. Kemi bërë dezinfektimin e xhamive dhe në bashkëpunim me KBI-në, po e përgaitisim hapjen e faltoreve”, deklaroi Haziri.

Ai tha se janë në koordinim edhe me ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami, lidhur me planet për shkollat dhe rolin e komunave.

Po ashtu, Haziri tha se ekonomia dhe sektori publik e privat janë riaktivizuar, ndërsa shtoi se tani është koha me largu kufizimin në qarkullim dhe hapjen e kufijve.

"Ju lutem që të vazhdoni akoma t’i përdorni masat preventive dhe ta mbani distancën sociale”, përfundoi ai./Zëri