Selimi e mohon se Lëvizja Vetëvendosje proteston të enjten

Selimi e mohon se Lëvizja Vetëvendosje proteston të enjten

Aktuale May 26, 2020 - 21:58

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur në lidhje me raportimet për organizimin e një proteste nga Lëvizja Vetëvendosje për të enjten.

Selimi për “Zërin” e ka mohuar një gjë të tillë, por nuk ka përjashtuar mundësinë se qytetarët mund të reagojnë ndaj vendimit të cilin pritet ta marrë Gjykata Kushtetuese.

“Jo, sepse po të ishte VV organizatore zyrtare ne do ta bënim të ditur me kohë, por njëkohësisht VV as që i jep dikujt të drejtë që qytetarëve t'u thotë të mos reagojnë për të gjitha ato ngjarje që u dedikohen atyre. VV nuk është thirrëse e këtyre protestave por edhe nuk i jep askujt të drejtë që bëjnë thirrje kundër tyre”, tha Selimi.

Ai po ashtu ka thënë se nuk do të heshtin nëse ky vendim është i padrejtë.

“VV pret që gjykata të marrë vendim të drejtë. Nëse vendimi është i padrejtë, atëherë është e kuptueshme që ne nuk heshtim”, tha më tutje ai.

Në disa media u raportua se LVV ka organizuar një protestë për të enjten. Ndërkaq, aktgjykimi i Kushtetueses rreth çështjes së mandatarit pritet të merret më së largu të premten me 29 maj.