Pacolli: Vjosa Osmani mandatare, ide e shkëlqyer

Pacolli: Vjosa Osmani mandatare, ide e shkëlqyer

Aktuale May 26, 2020 - 18:16

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë për kryetaren e kuvendit, Vjosa Osmani se do të ishte ide e shkëlqyer që të ishte kandidate për kryeministre, transmeton Zeri.info.

Përmes një shkrimi në Facebook, kreu i AKR-së ka shkruar se Osmani do të përfaqësonte nevojën për bashkim që politika dhe shoqëria kosovare ka nevojë sot.

“Ideja e Vjosës për mandatare ka qenë një ide e shkëlqyer. Ne si AKR, s’jemi faktor, por kjo ka qenë dëshira jonë, Rugoviste, shprehëse e vullnetit për ndryshim të brezit të ri, ajo do përfaqësonte dhe do të ekzekutonte atë nevojë për bashkim që politika dhe shoqëria kosovare ka nevojë sot”, ka shkruar ai.

Tutje Pacolli ka thënë se i kanë pëlqyer idetë e saj për zgjidhjen e krizës dhe politikës në vend.

“Më pëlqyen idetë e saj për zgjidhjen e krizës. Dhe marrja në konsideratë e këtij skenari, prej një eksperte të së drejtës si Vjosa është konfirmim tjetër se zgjidhja e vetme është ajo në favor të vijimësisë së legjislaturës, pa e lodhur popullin me zgjedhje të reja, ashtu si u shpreh Vjosa mbrëmë”, ka përfunduar ai.