Abbott: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë në të mirën e vendit

Abbott: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë në të mirën e vendit

Aktuale May 26, 2020 - 16:01

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi do të publikohet këtë javë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka bërë thirrje që çfarëdo vendimi të marrë kjo gjykatë, të respektohet nga të gjithë.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai e ka quajtur këtë javë të rëndësishme për Kosovën.

“Kjo javë është e rëndësishme për Kosovën. Ne po presim të dëgjojmë nga Gjykata Kushtetuese për hapat e ardhshëm në procesin politik pas votimit të mosbesimit në Kuvend. Është e rëndësishme që vendimi i tyre të respektohet nga të gjithë”, ka shkruar Abbot, transmeton Zeri.info.

Tutje, diplomati britanik ka thënë se çfarëdo vendimi që të merret është në të mirën e vendit.

“Çfarëdo vendimi që të merret, ai do të çojë në ndryshime, që mund të jenë në zgjedhje të reja ose në një qeveri të re. Disa njerëz do të jenë të kënaqur, të tjerët do të zhgënjehen, disa të tjerë mund të jenë tejet të kënaqur, të tjerët mund të jenë të zemëruar. Çfarëdo reagimi që të kenë, është në të mirën e Kosovës, si një demokraci e re parlamentare, që një ndryshim i tillë të ndodhë në mënyrë paqësore dhe të qetë, pa retorikë politike të ekzagjeruar dhe pa kërcënime”, ka shkruar tutje ai.

Ai porositi të gjithë liderët politikë, në institucionet shtetërore apo në parti politike, se duhet të veprojnë që të sigurojnë se stabiliteti politik dhe siguria në Kosovë, ashtu si edhe reputacioni ndërkombëtar, të mos rrezikohen. /Zëri