Pandemia në Shqipëri merr kthesë të papritur, 25 raste të reja dhe një viktimë
Foto: Reuters

Pandemia në Shqipëri merr kthesë të papritur, 25 raste të reja dhe një viktimë

Aktuale May 26, 2020 - 12:04

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka përditësuar të dhënat e 24 orëve të fundit për rastet e infektuara me COVID-19.

Drejtorja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami, tha se janë regjistruar 25 raste të reja, ndërsa një pacient 69-vjeçar nga Tirana ka vdekur, duke e çuar numrin e viktimave në 33.

Deri tani numri i të infektuarve në Shqipëri ka shkuar në 1029, ndërkohë që rastet e reja janë konfirmuar në Tiranë 24 raste dhe në Durrës 1 rast.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në Spitalin Infektiv. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit. Që nga fillimi i epidemisë 33 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19. Në 24 orët e fundit kemi sërish shtrime të reja në Spitalin Infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, i lidhur me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe vatra të reja në Tiranë. Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht, janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës”, tha ajo, raporton “EuronewsAlbania”.

Sipas të dhënave të Task-Forcës, bëhet me dije se 15 nga 25 rastet e konfirmuara janë zbuluar në një qendër të thirrjeve në kryeqytet.

“Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një ‘call-center’, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Ne 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14832 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1029. Prej tyre, rreth 78% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e COVID-19, prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, shtoi Cami.