KQZ-ja, e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë

KQZ-ja, e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë

Aktuale May 25, 2020 - 21:03

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ku kanë diskutuar për funksionimin e këtij institucioni dhe për ngritjen e bashkëpunimit në çështje të ndërlidhura me Qeverinë, transmeton Zëri.info

“Ndonëse në kohë pandemie, KQZ-ja është e gatshme të ushtrojë autoritetin e saj publik institucional”, ka thënë Zyra për Informim e Kryeministrisë.

Daka, sipas njoftimit, e njoftoi Kurtin se janë të gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës.

“Daka e njoftoi Kryeministrin në detyrë, z. Kurti, që përgatitjet për zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës edhe pse janë ndërprerë, me vendimin e marr më 14 mars të këtij viti, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, për mos-mbajtjen e tyre, KQZ është e gatshme që ta mbajë këtë proces zgjedhor”, potencohet në njoftimin për media.

Kurti në këtë takim shprehu gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për forcimin e bashkëpunimit me KQZ-në dhe nevojën që ka vendi për zhvillimin demokratik të institucioneve përmes transparencës dhe pavarësisë së tyre.