Kurti bisedon me Zaevin për dialogun me Serbinë e koronaviusin

Kurti bisedon me Zaevin për dialogun me Serbinë e koronaviusin

Aktuale May 25, 2020 - 20:03

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Unionit Social Demokratik të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti dhe Zaevi kanë bidesuar rreth menaxhimit të situatës me COVID-19 në të dy shtetet. “Kryeministri në detyrë Kurti dhe qeveria e tij u përgëzuan për menaxhimin shembullor me pandeminë.

Ndërsa, Zaev e njoftoi Kryeministrin në detyrë Kurti se Maqedonia e Veriut është ballafaquar me pandeminë me një Qeveri teknike në detyrë, por se shpejt do të përcaktohet data e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat priten të mbahen në korrik të këtij viti”, thuhet në komunikatë per media, përcjell Zëri.info

Sipas komunikatës, në rrafshin e bashkëpunimit fqinjësor dhe rajonal, Zaevi i ka ofruar Kurtit gatishmëri për bashkëpunim dhe mbështetje të plotë. “Ai tha se ka respekt të veçantë për Kosovën dhe popullin e saj. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore ashtu sikurse kanë edhe qëllim të përbashkët anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Prandaj edhe bashkëpunimi dhe koordinimi janë të rëndësishëm”. Gjithashtu, thuhet se në bashkëbisedimin telefonik u diskutua edhe për temën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri në detyrë Kurti dhe Zaev u pajtuan se dialogu është i suksesshëm atëherë kur prodhon një marrëveshje të pranueshme e largpamëse, dhe një marrëveshje të qëndrueshme si për palët e përfshira në të ashtu edhe për rajonin”, thuhet në komunikatë.