Podujeva më shumë se një muaj pa raste të reja, komuna e parë që e fitoi betejën me koronavirusin

Podujeva më shumë se një muaj pa raste të reja, komuna e parë që e fitoi betejën me koronavirusin

Aktuale May 25, 2020 - 16:58

Janë bërë më shumë se një muaj që prej ditës kur në Podujevë është konfirmuar rasti i fundit me COVID-19. Nga ajo ditë e deri sot, nuk ka pasur asnjë të infektuar me koronavirusin e ri, e edhe ata që kanë qenë të prekur janë shëruar plotësisht, raporton Express.

Për gjendjen në këtë komunë, ka folur specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit të Emergjencës.

Në një prononcim për Gazetën Express, Rama ka thënë se Podujeva është komuna e parë që e ka shpallur fitoren ndaj COVID-19.

Ajo ka treguar se nuk kanë pasur raste të reja atje që nga 20 prilli.

“Nuk kemi pas më raste të reja. Rastin e fundit e kemi pas më 20 prill. Por, kemi raste të dyshuara që vijnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, por që pas testimit po dalin negativ”, ka thënë Rama.

Rama deklaron se para tri ditësh është testuar një i moshuar, i cili ka pasur simptoma të kësaj sëmundje, por se ka rezultuar negative.

“Para tri ditësh, e kemi pas një rast të dyshuar. Një i moshuar, i cili ka pas edhe sëmundje kronike ka pas simptoma, dhe për siguri e kemi udhëzuar për në Klinikën Infektive në QKUK, por që pas testimit ka dal negative. Jemi komuna e parë që e kemi shpallë fitoren ndaj COVID-19”, ka thënë Rama për Express.

Ndryshe, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 138 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2 nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv, derisa janë shëruar 4 persona.

Nga konfirmimi i rasteve të para më 13 mars e deri tani, në gjithë vendin janë konfirmuar 1 mijë e 32 raste aktive me COVID-19. Prej tyre janë shëruar 789 persona, derisa kanë vdekur 29 të infektuar.