Infektuar: 4307
Shëruar: 2095
Vdekur: 94
Biserko dhe Janjiqi thonë se ndarja e Kosovës është strategji e Vuçiqit
Foto: Ilustrim

Biserko dhe Janjiqi thonë se ndarja e Kosovës është strategji e Vuçiqit

Aktuale May 25, 2020 - 15:53

Ndarja e Kosovës është opsioni i vetëm, të cilin Beogradi e mban në tavolinë për më shumë se tri dekada, ka komentuar për gazetën serbe “Danas” Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, deklaratën e paradokohshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për atë se për ndarjen ose për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka dëgjuar nga mediet.

Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike, për “Danas”-in thotë se deklaratat e Vuçiqit përmbajnë të pavërteta: “Ai vetë ka folur për idenë e demarkacionit më 2017-n dhe 2018-n. Për këtë pati edhe një konflikt serioz mes Vuçiqit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile gjatë të ashtuquajturit dialog i brendshëm”.

Sonja Biserkos, një kthesë e këtillë e papritur e deklaratave publike të Vuçiqit se nuk e di për çfarë bëhet fjalë, edhe pse ka qenë thellë, madje edhe publikisht, brenda idesë për ndarje dhe demarkacion si zgjidhje për çështjen e Kosovës, ia kujton asaj se i pari që ka folur për ndarjen e Kosovës ka qenë Dobrica Qosiqi.

“Ai e pa zgjidhjen e antagonizmit shekullor midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë në një kompromis të ligjit historik dhe etnik. Ai kompromis nënkuptonte të drejtën e shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë, me territoret ku janë shumicë. Sipas fjalëve të tij, Qosiqi për këtë zgjidhje ka bashkëpunuar edhe me Nebojsha Çoviqin, derisa ky ishte kryetar i Qendrës koordinuese e më pas edhe me Zoran Gjingjiqin, me të cilin kishte pajtim për strategjinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës (dhjetor 2002). Mirëkuptimin më të madh për këtë e kishte shfaqur Boris Tadiqi, i cili as tani nuk po heq dorë nga ajo. Për shkak të Kosovës e humbi mbështetjen e BE-së.

Ndërsa profesori Millovan Radovanoviq në librin e tij ‘Kosova dhe Metohija – Bazat Antropogjeografike dhe Demografike’ kishte precizuar planin për ndarjen e Kosovës”, deklaron Biserko për “Danas”-in, transmeton “Zeri.info”.

Bashkëbiseduesja e gazetës serbe kujton edhe vitin 2005, kur Qosiqi publikoi librin ku ai pajtohej për ndarjen e Kosovës, e cila u promovua pothuajse në të gjitha qytetet e Serbisë.

“Kishte dy botime me një tirazh, që është një rekord për Serbinë. Botimi i parë ishte 50.000 kopje. Presidenti Vuçiq, si të gjithë përpara tij, atë strategji e miratoi si shtetërore. Ata që besojnë se Kosova është një vend i patjetërsueshëm i Serbisë kurrë nuk kanë dalë me një plan se si e shohin riintegrimin e Kosovës në Serbi, përveç preambulës së Kushtetutës së vitit 2006. Prandaj, nuk është për t’u habitur që pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të përfshirë Tiranën në zgjidhjen e Kosovës, Beogradi më në fund gjeti një bashkëbisedues në kryeministrin Edi Rama. Kjo shpjegon marrëveshjen që u ra dakord midis Hashim Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit”, mendon Biserko.

Ajo shton se marrëveshja e Brukselit ka ngecur pikërisht në momentin kur erdhi deri tek interpretimi në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. Beogradi e interpretoi atë me status sikurse të Republikës Serbe (në Bosnjë e Hercegovinë).

“Presidenti Vuçiq vitin e kaluar, në muajin qershor, pati deklaruar: ‘Jam për demarkacion dhe nuk turpërohem për këtë, por serbët janë kundër kësaj dhe unë e kam kuptuar porosinë e popullit. Nuk jemi të gatshëm të dëgjojmë të vërtetën për Kosovën, madje edhe kur të gjithë e dinë. S’duan njerëzit ta pranojnë këtë, sepse prek emocionet e tyre’. Nëpër rrjete sociale qarkullon plani për ndarjen e Kosovës. Burime nga Uashingtoni dëshmojnë se për ndarje është folur edhe gjatë vizitës së Thaçit dhe të Vuçiqit në Uashington shkurtin e këtij viti. Muajt pasues do të jenë kyçë se a do të jetë i suksesshëm ai plan ose jo. Shumë varet nga qëndrimi i BE-së, veçanërisht nga ai i Gjermanisë, por edhe i Francës”, përfundoi Biserko për “Danas”-in.

Ndërkaq Dushan Janjiq, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, për “Danas”-in kujton se Vuçiqi ishte avokues i shkëmbimit të territoreve, por edhe se nuk ishte shumë i qartë.

“Ndonjëherë fliste për demarkacion e ndonjëherë se nuk munden të gjithë të fitojnë gjithçka e Serbia asgjë”, thotë Janjiqi, transmeton “Zeri.info”.

Sipas tij, Vuçiqi duket se po përgatitet për një qasje realiste ndaj procesit e kjo do të thotë respektim të vendimeve të Grupit të Kontaktit, ku është edhe Rusia, vendime këto të marra më 2004-n dhe të cilat u referohen parimeve të zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe shprehimisht thonë se nuk ka ndryshime kufijsh.

Ai thotë se deklarimi më i fundit i Vuçiqit është qartë një përgatitje për një rund të ri bisedimesh politike për Kosovën me Grenellin.

“Kemi pasur bisedime të ashtuquajtura politiko-ekonomike. Por duket se po i afrohemi një rundi të ri bisedimesh me Lajçakun dhe me BE-në. Është mirë që presidenti po e reseton politikën e tij. Do të doja që kjo të ishte edhe një hyrje në një politikë të re. Deklarata e tij mua s’më brengos fare. Një pjesë që do të më shqetësonte, nëse do të ishte e vërtetë, por nuk është, është se ai pret që t’i ofrohet diçka. Pritja është më e rrezikshmja. Nuk besoj që Vuçiqi po pret diçka. Ai është njëri nga politikanët që e krijon situatën”, tha Janjiqi.

Veç kësaj, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike thotë se kjo qasje është përgatitje për kthimin e çështjes së Kosovës në tavolinë dhe se Vuçiqi do të bëjë gjithçka është e mundur që kjo të mos jetë pjesë e fushatës zgjedhore.