Kurti: Në përputhje me Kushtetutën tonë, nevojiten zgjedhje të reja

Kurti: Në përputhje me Kushtetutën tonë, nevojiten zgjedhje të reja

Aktuale May 25, 2020 - 14:15

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij se në këtë situatë politike zgjidhja më e mirë për vendin është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Kurti ka thënë se nuk ka ngërç institucional, pavarësisht situatës në të cilën gjendet Qeveria tash e dy muaj nga mocioni i mosbesimit më 25 mars, transmeton “Zeri.info”.

“Ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashton zgjedhjet. Sot u bënë dy muaj nga mocioni i mosbesimit. Më 25 mars krizës shëndetësore iu pat shtuar edhe ajo politike. Mirëpo, ne po ia dalim. Dje ishte dita e parë, që nga 13 marsi, pa të infektuar me virusin Korona.

Ngërç institucional? Nuk është e vërtetë. Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë, nevojiten zgjedhje të reja”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka përmendur disa shtete në Evropë, të cilat po përgatiten për zgjedhje të reja gjatë muajve qershor e korrik e që ka thënë se edhe Kosova duhet ta ndjekë shembullin e tyre.

“Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht”, ka shkruar Kurti. /Zëri