Tërnava thotë se për dy ose tri ditë mund të fillojë hapja e xhamive

Tërnava thotë se për dy ose tri ditë mund të fillojë hapja e xhamive

Aktuale May 25, 2020 - 14:13

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kosovë (BIK), Naim Tërnava, është deklaruar se rënia e numrit të të infektuarve në ditët e fundit është mundësi e mirë që këto ditë të fillojë hapja e xhamive.

“Unë them derisa këto ditë kemi lajme të mira, atëherë këto janë shenja të mira. Me emër të Zotit nesër do të takohem me kompetentët tanë, edhe me Institutin, edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, nëse kështu vazhdon brenda dy-tri ditëve është e mundshme që të startojmë në xhami për faljen e namazeve”, deklaroi Tërnava.

I pari i BIK-ut tha se ka qenë e nevojshme që të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe falja e namazit të Fitër Bajramit të kryhet në kushte tjera nga ato të zakonshmet.

“Qytetarët na kanë kuptuar drejt dhe mirë. Nëse qesim para vetes diçka më të shenjtë se mirëqenien e popullit, atëherë nuk jemi as imamë, as hoxhallarë, as politikanë, me një fjalë nuk jemi askush”, tha ai për “Dukagjinin”.

Këtë vit falja e Fitër Bajramit është kryer nëpër shtëpi, sepse grumbullimi i besimtarëve nëpër xhami nuk ka qenë i lejuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për shkak të pandemisë COVID-19.