Thaçi thotë se Kurti ka uzurpuar zyrën e kryeministrit
Foto: Laura Hasani

Thaçi thotë se Kurti ka uzurpuar zyrën e kryeministrit

Aktuale May 25, 2020 - 13:50

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar sot se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka uzurpuar zyrën e kryeministrit.

Gjatë një vizite në burgun e Dubravës, në përkujtim të të burgosurve shqiptarë të vrarë para 21 vjetësh atje nga shteti i Serbisë, Thaçi ka komentuar edhe zhvillimet e fundit politike, ndërsa Kurtin e ka quajtur si “njëri të paligjshëm”, që sipas tij ka uzurpuar zyrën e kryeministrit, transmeton “Zeri.info”.

“Ne të gjithë duhet të fokusohemi në respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për fat të keq kemi një njeri që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare”, ka deklaruar Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se duhet me qetësi dhe durim të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të publikohet në ditët në vijim.

Në lidhje me akuzat se po i bën presion Kushtetueses, Thaçi tha se në vitet e kaluara ka dhënë shembuj kur ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe kur ato nuk kanë qenë në favor të tij.

Ndërkaq, presidenti i vendit tha se masakra në Burgun e Dubravës është ndër më mizoret, pasi që është kryer kundër të burgosurve të pambrojtur, gjë që është në kundërshtim me çdo konventë ndërkombëtare dhe çdo ligj ndërkombëtar.

Ai ka thënë se Kosova nuk do të ndalet derisa të vihet drejtësia për “mbi 13 mijë viktima civile të vrara nga shteti serb, mbi 400 masakra të kryera dhe mbi 20 mijë gra të dhunuara nga aparati shtetëror serb”.

“Serbia do të ballafaqohet me drejtësinë për gjenocidin që e ka kryer në Kosovë kundër popullatës civile dhe për të gjithë këto masakra që u kanë ndodhur qytetarëve të Kosovës”, përfundoi presidenti Hashim Thaçi. /Zëri