LVV-ja insiston në çuarjen e vendit në zgjedhje

LVV-ja insiston në çuarjen e vendit në zgjedhje

Aktuale May 25, 2020 - 12:42

Derisa dje Lëvizja Vetëvendosje postoi një video ku inskenohej mbajtja e zgjedhjeve në kohë pandemie, sot zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se nuk ka arsye që Kosova të mos mbajë zgjedhje për shkak të koronavirusit.

Kryziu ka thënë se deputetët duhet mblidhen në Kuvend për ta shpërndarë atë vetëm për t’u mbledhur prapë pas zgjedhjeve 2020.

“Organizimi i zgjedhjeve është dëshmuar të jetë praktikisht i mundshëm edhe në këto rrethana, për aq kohë sa merren masat sanitare të duhura, siç është përshkruar nga një video dje. Vullneti i qytetarëve për zgjedhje haptazi ekziston dhe Neni 82.2 i Kushtetutës i parasheh ato. Andaj deputetët le të mblidhen në Kuvend për ta shpërndarë atë vetëm për t’u mbledhur prapë pas zgjedhjeve 2020. Vullneti i qytetarëve nuk mund të mbahet peng i interesave të disa deputetëve, vullneti i të cilëve është peng i kryetarëve të partive të tyre në radhë të parë”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.

Ai ka përmendur disa shembuj të shteteve, të cilat do të mbajnë zgjedhje këtë vit.

“Shembuj që mund të ndiqen si në parim, po ashtu edhe në praktikë të organizimit të zgjedhjeve kemi mjaftueshëm; zgjedhjet presidenciale në Islandë më 27 qershor, zgjedhjet lokale në Francë më 28 qershor, zgjedhjet nacionale në Kroaci më 5 korrik dhe zgjedhjet rajonale në Spanjë më 12 korrik”, ka shkruar Kryeziu.

Dje LVV-ja, përmes një videoje, demonstroi votimin gjatë kohës së pandemisë. Kjo parti tha se votimi në këtë kohë nuk ndryshon edhe aq prej atij pa të.

“Përveç kujdesit të shtuar, gjithçka tjetër është e ngjashme”, potenconte Vetëvendosja.

Kjo parti madje bëri paralele me mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë 28 vjet më parë, kur vendi ishte nën okupim, duke thënë se tani mundësitë janë edhe më të mëdha për zhvillimin e një procesi zgjedhor. /Zëri