Vitia qe 20 ditë pa asnjë rast me COVID-19, Haliti: Janë shëruar të gjithë pacientët

Vitia qe 20 ditë pa asnjë rast me COVID-19, Haliti: Janë shëruar të gjithë pacientët

Aktuale May 25, 2020 - 10:27

Vitia ishte komuna e parë e prekur me COVID-19, por tash e 20 ditë nuk ka asnjë rast të ri.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në një intervistë për “Ekonominë Online”, tha se të gjithë që kanë qenë të infektuar me COVID-19 janë të shëruar.

Ai ka shtuar se qytetarët kanë respektuar masat e rekomanduara nga institucionet e kjo ka ndikuar që të mos ketë më të infektuar.

“Jemi të qetë si komunë, tash e 20 ditë nuk kemi raste. Kemi pasur testime, por kanë rezultuar negativë. Të gjithë që kanë qenë të infektuar me COVID-19 janë të shëruar.

Jemi duke bashkëpunuar me qytetarët e bizneset për t’i ruajtur masat mbrojtëse me udhëzimet që japin profesionalistët. Vitia i ka respektuar dhe jam falënderues ndaj bizneseve. Nëse vazhdojmë kështu po shkojmë drejt lirimit dhe relaksimit, sigurisht është edhe kthimi në punë, duhet t’i kthehemi normalitetit”.

Haliti potencoi se Vitisë i duhet më shumë kohë për t’u kthyer në normalizim si shkak i karantinës.

Por, thotë ai, Vitia duhet t’i kthehet zhvillimit ekonomik, madje kërkoj ai që të lirohen masat për të filluar punën të gjitha kompanitë.

“Nevojitet shumë normalizim në Viti për shkak se kemi qenë në karantinë një kohë të gjate. Prej fillimit jemi përfshi si komunë një muaj më herët se të tjerët.

Nevoja është t’i kthehemi punës, sidomos zhvillimit ekonomik, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë nevojë të frymojnë, por edhe gjithë tjerët. Bujqësia të zhvillohet si sektor kryesor ekonomik, edhe pse ne kemi pasur tolerancë dhe fleksibilitet ndaj të mbjellave pranverore, sidomos me fermerët”.

I pari i Vitisë thotë se punëtorët duhet t’i kthehen punës, pasi nuk e përhapin koronavirusin, raporton EO-ja.

“Do ta zëmë hapin, por e kam frikën te zhvillimi ekonomik. Projektet duhet të lirohen të realizohen, punimet duhet të vazhdojnë, si prodhimtaria dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme, gjithashtu jeta në përgjithësi.

Gradualisht duhet t’i kthehemi punës, mendoj se edhe më herët kemi pasur mendim se punëtorët nuk e përhapin koronavirusin, andaj duhet të lejohen të punojnë”.

Mes të tjerash, Haliti deklaroi se po i frikësohet situatës pas COVID-19, pasi tha ai se Kosova edhe para pandemisë ka qenë keq ekonomikisht.

“Kam qenë ithtar i lirimit të të gjitha atyre që punojnë. Sepse i druhem situatës pas COVID-it, që ka mundësi të na kaplojë një situatë ekonomike, se Kosova edhe ashtu ekonomikisht nuk ka qenë mirë.

Lutem që sa më shpejt të lirohen masat dhe sa më shpejt të kthehemi në punë, ekonomia të fillojë të normalizohet”.