Zero raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Zero raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Aktuale May 24, 2020 - 20:48

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se nga IKSHPK, gjatë 24 orëve të fundit, u realizuan 138 testime të qytetarëve tanë dhe të gjitha rezultuan negative.

Vitia ka thënë se kujdesi, forca dhe vullneti i qytetarëve e ka bërë këtë të mundur, njofton Zeri.info

“Sot nga IKSHP u realizuan 138 testime të qytetarëve tanë. Rezultati që morëm sot është 0 raste pozitive. Sot pra me 24 maj është dita e parë pas 13 marsit, kur rezultuan rastet e para me COVID-19, ku nuk rezulton asnjë i infektuar nga testimi.

Forca e madhe e vullnetit tuaj vajza e djem, burra e gra, mjeke e mjekë, infermiere e infermierë, policë e police, inspektore e inspektorë, e bëri të mundur këtë rezultat”, ka shkruar Vitia.

Ai gjithashtu ka thënë se përkushtimi i Institutit e laboratorit dhe vigjilenca e Klinikës infektive ka dhënë një situatë shpresëdhënëse përballë virusit.

“Koordinimi me Kryetarët e Komunave dhe degëve të Institutit e laboratorit, përkushtimi i vullnetarëve dhe vigjilenca e Klinikës infektive në trajtimin e rasteve e vendos Republikën e Kosovës në një situatë shpresëdhënëse përballë virusit”, ka shkruar ai.

Ministri ka porositur qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura nga IKSHPK, duke mbajtur distancën, t'i shmangin tubimet që kjo betejë të fitohet

“Si në të gjitha vendet, edhe ne jemi futur në një normalitet të ri me të cilin duhet të mësohemi. Distanca fizike, përdorimi i maskave, shmangja e tubimeve, janë të domosdoshme që ta fitojmë këtë betejë.

Çdo shkujdesje, shpërqendrim apo relaksim dhe kthim në zakonet si para virusit mund të na kushton, madje edhe rëndë”, u shpreh Vitia.