Infektuar: 9274
Shëruar: 5190
Vdekur: 269
Nëntë pacientë me COVID-19 në Infektive, njëri në gjendje kritike për jetën

Nëntë pacientë me COVID-19 në Infektive, njëri në gjendje kritike për jetën

Aktuale May 22, 2020 - 10:23

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka bërë të ditur numrin e personave të infektuar me koronavirus, të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK.

Përmes një postimi në “Facebook” Hoti ka treguar se gjithsej nëntë pacientë me këtë virus po trajtohen në Infektive, ndërsa katër prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, përcjell “Zeri.info”.

Nga katër personat me gjendje të rënduar, sipas këtij raporti, një është duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe me përkujdesje intensive, kurse tre të tjerë janë në Mjekim Intensiv, njëri nga ta me ventilim mekanik, i cili është në gjendje kritike për jetën.

“Në Klinikën Infektive - QKUK, sot, më 22.05.2020, janë të hospitalizuar 11 pacientë. Prej tyre të sëmurë me COVID-19 janë gjithsej 9 pacientë. Nga 9 pacientët e infektuar me COVID-19, 5 janë në gjendje stabile, 1 është me gjendje të rënduar dhe trajtohet në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 të tjerë janë në Repartin e Mjekimit Intensiv duke u trajtuar (2 raste janë në gjendje të rëndë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 1 rast është në gjendje kritike dhe në ventilim mekanik)”, ka thënë Hoti, duke theksuar se Klinika është në pritje të rezultateve për 2 pacientë.

Ndërkohë, mbrëmë në rezultatet e 24 orëve të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë bërë të ditur se vetëm një rast ka rezultuar pozitiv. Ndërkaq, të shëruar nuk pati asnjë. /Zëri