Infektuar: 4307
Shëruar: 2095
Vdekur: 94
Newell: S’ka pajtim kolektiv në NATO për pranimin e Kosovës

Newell: S’ka pajtim kolektiv në NATO për pranimin e Kosovës

Aktuale May 21, 2020 - 14:47

Gjatë ditës së djeshme Ambasada Amerikane në Oslo - Norvegji ka zhvilluar një diskutim online në lidhje me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Në diskutim morën pjesë: Tracey Newell, nga Misioni Amerikan në NATO, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Norvegji, Serdjim Muhamed, dhe profesori Kamal Beyoghlow nga “Shkolla Elliott për Çështje Ndërkombëtare” në universitetin “George Washington” në Uashington DC.

Diskutimi ishte i hapur dhe shikuesit mund të parashtronin pyetje. Në mesin e pyetjeve ishte edhe një rreth anëtarësimit të Kosovës në NATO, raporton “Zeri.info”.

Newelli tha se aktualisht në NATO s’ka konsensus për pranimin e Kosovës, shkaku i disa vendeve që kanë raste separatiste brenda vetes, siç është rasti i Spanjës.

“Është pyetje e komplikuar, por më pëlqen. Të jem e sinqertë, nuk ka pajtim kolektiv në Aleancë aktualisht për statusin e Kosovës. Është ende çështje e ndjeshme për disa aleatë që kanë rajone separatiste te to, si p.sh. Spanja. Prandaj s’ka pasur konsensus në këtë. SHBA-ja ka qëndrim të qartë, por s’mund të them më shumë”, tha Newelli, raporton “Zeri.info”.

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Norvegji, Serdjim Muhamed, tha se me Kosovën kanë raporte të mira dhe se do ta ndihmojnë fqinjin e tyre drejt anëtarësimit në NATO.

“Politika me dyer të hapura për NATO-n është aktive. Kosovën e kemi fqinje, e njohim atë, kemi raporte të mira me të dhe do t’i mbështesim nëse vazhdojnë ta ndjekin këtë rrugë. Por janë disa pengesa që duhen kaluar me kalimin e kohës”, tha Muhamedi.

Kurse profesori Kamal Beyoghlow tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO merr kohë, mirëpo theksoi se Kosova ka arritur mjaft që nga vitet e ’90-ta, me të përfunduar Lufta e Ftohtë.

“Kur përfundoi Lufta e Ftohtë isha ndër të paktët që vizitova Shqipërinë. U intervistova nga shumë gazetarë atje për çështjen e Kosovës. Kosova ka arritur mjaft, SHBA-ja dhe NATO-ja e kanë mbështetur pavarësinë. Besoj se sekreti i anëtarësimit të Kosovës në NATO është koha dhe duhet kaluar disa pengesa. Sikurse Turqia që po përballet me pengesa që duhen tejkaluar. Është e mundshme në periudhë afatgjate, nëse Kosova i përmbush kushtet e pranimit, mund të bëhet anëtare e NATO-s në planin afatgjatë”, tha Beyoghlowi.