Infektuar: 1123
Shëruar: 847
Vdekur: 30
Rregullat e reja, kështu pritet të funksionojnë kafenetë e restorantet nga 1 qershori

Rregullat e reja, kështu pritet të funksionojnë kafenetë e restorantet nga 1 qershori

Aktuale May 21, 2020 - 14:45

Nga 1 qershori, kur edhe fillon faza e tretë e masave lehtësuese kundër COVID-19, pritet të hapet në tërësi sektori i gastronomisë, sektor ky i cili ka pasur humbje të mëdha gjatë kësaj periudhe kur vendi po përballet me virusin.

Në lidhje me atë se si do të funksionojnë kafenetë, baret e restorantet e ndryshme tashmë Shoqata e Gastronomëve të Kosovë i ka dërguar sugjerime Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Fatos Mexhuani, nënkryetar i kësaj shoqate, ka treguar në detaje protokollin drejtuar institucioneve përkatëse.

Në këtë propozim, mes të tjerash, përmendet edhe prezenca e fletushkave në çdo tavolinë për mbrojtje nga COVID-19.

“Ne i kemi dhënë propozimet tona, për shkak të përvojës që kemi se si bëhet shërbimi brenda lokalit, ne kemi thënë që 1 metër e gjysmë duhet të mbahet distanca nga karrigia në karrige, do të jetë prezent dezinfektuesi në çdo lokal, do të jenë edhe fletushkat se si duhet të ruhemi nga virusi, kamerieri e pjesa tjetër e stafit duhet të jenë me maska e me doreza, servisi që nënkupton (piruni, thika) nuk duhet të qëndrojë në tavolinë, por duhet të sjellën në të njëjtën kohë me ushqim – mundësisht të jenë të mbështjella ose njënjëpërdorimshme, do të varet se si vendos biznesi, menytë duhet të jenë ose njëpërdorimshme ose duhet të dezinfektohen pas marrjes së çdo porosie”, ka treguar ai për “Insajderin”.

Mexhuani ka theksuar se gjithashtu është propozuar që të caktohet një person përgjegjës, i cili do të kujdeset për mbajtjen dhe respektimin e rregullave, që do të fillojnë të aplikohen nga 1 qershori.

“Do të jetë menaxheri i pikës ose lokalit që do të jetë përgjegjës për kontrollin brenda, që të mos bashkohet njerëz të ndryshëm prej tavolinave të ndryshme dhe njerëzit që vinë nga jashtë”, ka thënë nënkryetari i Shoqatës së Gastronomëve.

Deri më 20 mars kafitene të ndryshme kanë shërbyer përmes opsionit “take-away” ose “merr me vete”, derisa u mor vendim nga Ministria e Punëve të Brendshme që edhe ky shërbim të ndalohet.

E më 4 maj, kur Kosova hyri në fazën e dytë të masave lehtësuese kundër COVID-19, u vendos që shërbimi “take-away” të praktikohet sërish deri në hapjen e tërësishme të sektorit të gastronomisë.