Lajçaku i shkruan Thaçit, nuk përmend afate për marrëveshje e as njohjen nga Serbia

Lajçaku i shkruan Thaçit, nuk përmend afate për marrëveshje e as njohjen nga Serbia

Aktuale April 10, 2020 - 11:54

Miroslav Lajçak, i cili është caktuar si përfaqësues special i BE-së për dialogun Prishtinë - Beograd, i ka shkruar letër kreut të shtetit të Kosovës, në të cilën ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u marrë me procesin, megjithatë ndryshe nga amerikanët, Lajçak në letrën e dërguar Thaçit s’ka përmendur ndonjë afat për arritjen e marrëveshjes finale e as çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes së cilës ka shprehur gatishmërinë e tij të punojë me kreun e shtetit sa i përket çështjes së negociatave.

Lajçak në ketë letër ka thënë se emërimi i tij në pozitën e përfaqësuesit special për dialogun Prishtinë - Beograd është një tregues i rifillimit të angazhimit të Brukselit sa u përket bisedimeve.

Tutje diplomati sllovak ka thënë se do të punojë në mënyrë të palodhshme për të avancuar procesin e dialogut, ndërkohë thotë se një qasje të njëjtë e pret edhe nga Prishtina dhe nga Beogradi. “Jam i bindur se me një vullnet të mirëfilltë politik nga të dy palët dhe përmes dialogut do të mundë të arrijmë rezultatet që dëshirojmë për të mirën e njerëzve në Kosovë dhe në Serbi”, ka shkruar Lajçak.

Ndër të tjera emisari i BE-së për dialogun ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr taksën 100% ndaj Serbisë, duke e cilësuar si një hap konkret për rinisjen e dialogut.

Në këtë letër Lajçaku e ka njoftuar Thaçin se tashmë e ka përgatitur planin e tij për të filluar punën në procesin e dialogut, duke shprehur gatishmërinë e tij për të takuar vetë presidentin dhe liderët tjerë shtetërorë për të shkëmbyer pikëpamjet.

Ndërkohë, ndër të tjera shton se situata aktuale me koronavirus nuk krijon mundësi për një takim shumë të shpejtë, por thotë se një gjë e tillë nuk do ta ndalë angazhimin e tij si emisar për dialogun.

Image