13 persona me koronavirus në Kamenicë, Komuna jep detaje rreth gjendjes së tyre

13 persona me koronavirus në Kamenicë, Komuna jep detaje rreth gjendjes së tyre

Aktuale April 08, 2020 - 14:57

Numri i të prekurve me Coronavirus në Kamenicë ka shkuar në 13 derisa gjendja e pacientëve raportohet të jetë stabile.

Këtë e konfirmoi për portalin Front Online, zyrtarja për Marrëdhënie me Publikun në këtë komunë, Margarita Rashiti.

“Siç edhe mund ta dini në komunën tonë numri i të prekurve nga virusi SARS CoV-2-, ka arritur në 13.  Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe deri në këtë moment gjendja e tyre është stabile”, tha Rashit.

Sipas saj, qytetarët e Kamenicës e kanë kuptuar rëndësinë e të qëndruarit në shtëpi dhe aktualisht nga të dhënat e policisë gjendja është e mirë.

“Është shumë me rëndësi që qytetarët po veprojnë në përputhshmëri me të gjitha udhëzimet nga organet kompetente por normalisht që ditëve në vijim për shkak të motit me diell, do të jetë pak sfidë jo vetëm në Kamenicë por në gjithë territorin e Kosovës. Ne ftojmë gjithë qytetarët që të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, të dalin vetëm kur ta kenë të domosdoshme dhe të respektojnë distancën sociale”, tha ajo.

Më tej, Rashiti tha se janë në vazhdimësi në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë për situatën e komunës së Kamenicës.

”Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me situatën e krijuar në komunën tonë dhe po i zbatojmë detyrat tona në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave”, përfundoi ajo.

Kujtojmë se nga virusi Covid-19 në Kosovë kanë humbur jetën  5 persona dhe 184 të tjerë janë të prekur na ky virus.