Tri mesazhet kërcënuese të Vjosa Osmanit për Mustafën, Veliun e Hazirin

Tri mesazhet kërcënuese të Vjosa Osmanit për Mustafën, Veliun e Hazirin

Aktuale April 08, 2020 - 12:38

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh nënkryetare e LDK-së, mbrëmë ia ka çuar disa mesazhe kërcënuese partisë së saj, konkretisht kryetarit Isa Mustafa dhe dy nënkryetarëve, Agim Veliut e Lutfi Hazirit.

Osmani kritikat më të mëdha i kishte për Veliun, duke konfirmuar kështu acarimet prej kohësh që i ka me të, ku e fajësoi për prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Por cilat janë tri mesazhet kërcënuese të Vjosës për bashkëpartiakët e saj?

Vjosa Osmani publikisht u shpalli luftë atyre që duan ta largojnë nga partia.

Ajo deklaroi mbrëmë se le ta provojë dikush nga partia ta largojë dhe do të shohin se kush do të dalë i pari nga dera. “Ata që ma tregojnë derën e më thonë se e kam tradhtuar LDK-në le ta provojnë dhe do ta shohim kush do të dalë i pari nga ajo derë”, tha Osmani në emisionin “Desku”.

Osmani, ndërsa kritikoi Veliun si njeriu kryesor në vendimmarrje në LDK, edhe pse nuk ishte matur në elektorat në zgjedhjet e 6 tetorit, tha se më askush nuk do të fshihet pas saj dhe ua bëri me dije se ka njerëz jo pak brenda LDK-së që mendojnë si ajo.

“Nëse dëshironi të kërkoni besimin për të hyrë në koalicion me parti që e kanë zhvatur Kosovën, unë nuk i hyj asaj liste. Por ju dilni dhe matuni para qytetarëve, sepse s’mund të fshiheni më prapa meje. Ajo çka na pret neve është një bashkëpunim me njerëzit brenda LDK-së që mendojnë si unë, që kanë konceptin tim dhe që urgjentisht këtë koncept ta bëjmë mbizotërues edhe në struktura të LDK-së, sepse te qytetarët tashmë është”, theksoi Osmani në këtë intervistë.

Osmani ua çoi edhe një kërcënim tjetër kolegëve të partisë, të cilët tha se po shpifin e po e ofendojnë, për çka tha se nuk do ta durojë më asnjërin. “Ka zyrtarë të lartë të LDK-së që thonë se Vjosa ka bërë thirrje që të mos i besojmë Amerikës. Pa asnjë fije marre… Në mënyrë që të ofendojnë. Të mos flasim për ofendime që bëhen pastaj në baza gjinore. Unë sot nuk mund të hesht sepse i kam dy vajza të vogla. Nuk do t’i duroj asnjërin. Le ta kenë të qartë ata zyrtarë që shpifin, e gënjejnë, e ofendojnë përtej imagjinatës njerëzore, me gjuhën më të shpifur, do të përfundojnë në hetime”, ka paralajmëruar Osmani.

Mbetet të shihet cili do të jetë reagimi i Veliut pas akuzave që ia bëri Osmani, por edhe vet kryetarit Isa Mustafa e nënkryetarit Lutfi Haziri, pasi bashkëpartiakja e tyre u shpalli zyrtarisht luftë politike.