PDK-ja kërkon rritjen e shtesës në 500 euro për mjekët e Infektivës dhe IKSHPK-së

PDK-ja kërkon rritjen e shtesës në 500 euro për mjekët e Infektivës dhe IKSHPK-së

Aktuale April 07, 2020 - 16:37
Valmire Maliqi/ Prishtinë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, njëherësh ish-ministri i Financave Bedri Hamza përmes një konference për media ka paraqitur iniciativën e kësaj partie për hartimin e një Pakoje emergjente që ka të bëj me aspektin social dhe ekonomik. Hamza ka njoftuar që kanë siguruar nënshkrimet për të thirrur një seancë lidhur me këtë çështje, raporton “Zëri.info”.

“Kjo situatë e krijuar përveç ndikimit në çështjet shëndetësore sigurisht që ka ndikim edhe social dhe ekonomik. Me qëllim që ky ndikim negativ edhe në aspektin social dhe ekonomik që të mos thellohet duhen veprime të shpejta dhe konkrete. Me qëllim të adresimit të sfidave që i kemi para vetes si shtet ne si PDK, e kemi dorëzuar kërkesën me nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme me datën 14 prill, pra të martën”, ka konfirmuar Hamza.

Kësisoj deputeti i PDK-së ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që ka ndërmarrë masa jo profesional dhe me mungesë të përvojës.

“Qëllimi është që të krijojmë një konsensus më të gjerë. Kjo çështje shkon përtej çështjeve partiake dhe politike. Ne edhe ashtu jemi vonë. Efektet dhe ndikimi ka me qenë aq i madh, sa më vonë do na duhet të japim më shumë para të taksapaguesve. Qëllimi ynë është që në këtë situatë të komplikuar çështjen të mos e bëjmë edhe më komplekse. Qeveria ka propozuar disa masa që nuk janë të mjaftueshme dhe është vonuar me këtë pako të masave. Është vërejt një mungesë edhe e aspektit profesional dhe përvojës institucionale”, ka thënë ai.

Hamza theksoi se masat e ndërmarra nga Qeveria kanë mungesë si pasojë e legalitetit, raporton tutje “Zëri.info”.

“Ne e dimë që buxheti i vitit 2020 është aprovuar para një kohe jo shumë të gjatë e ku edhe situata ka qenë jo shumë ndryshe nga kjo që është sot. Pjesa dërmuese e masave që ka ndërmarrë Qeveria nuk janë të përfshira në buxhet dhe bazuar edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në Ligjet për Ndarjet buxhetore për vitin 2020 dhe ai për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësisë është e pamundur që të respektohet ligji , kushtetuta dhe të zbatohen këto masa”, ka thënë ai.

PDK-ja tanimë ka hartuar një Pako e që sipas Hamzës shkon deri në 320 milion euro.

“Propozimi ynë përfshinë një pako e cila shkon deri në 320 milionë euro. Pakoja e propozuar përfshinë pagat e sektorit privat që si rezultat i masave të marra si pasojë e koronavirusit të paguhen nga 300 euro në muaj për tre muajt e ardhshëm. Kjo shumë shkon diku deri në 72 milion euro”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Edhe përkrahja për ndërmarrjet private është e përfshirë në Pakon e propozuar nga kjo parti politike. Poashtu ai kërkoi edhe rritjen e shtesës në 500 euro për mjekët e Infektivës dhe IKSHPK-së, raporton tutje “Zëri.info”.

“Përkrahja e ndërmarrjeve private edhe në fushën e shërbimeve edhe në veprimtari tjera e kanë ndaluar aktivitetin e tyre. Për këtë qëllim ne propozojnë një fond prej 40 milion euro për përkrahje ndaj tyre. Përveç kësaj parashihen edhe lirime të tjera për sa i përket tatimit në qira dhe lirime tjera në pjesën e tatimeve dhe shtyrjes së tyre. Shtesat për të punësuarit në sektorin publik që janë në linjën e parë dhe në detyra emergjente, të paguhen nga 300 euro shtesë në 3 muajt në vazhdim, ndërsa të punësuarit në Klinikën Infektive, në IKSHPK dhe në shërbimet parësor të kenë për tre muaj ditë nga 500 euro shtesë”, ka thënë ai.

Për sa i përket pensioneve për disa kategori, PDK-ja ka rekomanduar që krahas pensionit bazë të shtohen edhe nga 100 euro për tre muajt e ardhshëm.

“Për rastet sociale mbi pagesat bazë për tre muaj të paguhen nga 100 euro shtesë. Këtu hynë pensionistë e pensioneve bazike apo të moshës, pensionistët kontributdhënës, skemat e dala nga lufta, viktimat e dhunës seksuale, pensionistët e parakohshëm të Trepçës, TMK, dhe shuma gjithsej shkon në 78 milion euro”, ka thënë tutje Hamza.

Ai ka kërkuar përkrahje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës që ta përkrahin këtë Pako të hartuar nga PDK-ja për t`i ndihmuar situatës së krijuar në vend. /ZËRI