Nagavci: Faleminderit ministrit Vitia dhe stafit shëndetësor për punën e palodhur

Nagavci: Faleminderit ministrit Vitia dhe stafit shëndetësor për punën e palodhur

Aktuale April 06, 2020 - 17:38

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka falënderuar ministrin në Detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe të gjithë personelin shëndetësor për punën në parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Nagavci përmes një postimi në Facebook, ka thënë që bashkë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin dhe ministrin Vitia kanë biseduar sot për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional për menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Pasi falënderuam ministrin Vitia dhe nëpërmes tij të gjitha institucionet e personelin shëndetësor për punën e palodhur në parandalimin e përhapjes së pandemisë në vendin tonë, u njoftuam për së afërmi me Planin e Veprimit përmes së cilit do të operojnë institucionet e vendit”.

“Diskutuam dhe për harmonizimin e veprimeve në adresimin me kohë të e çështjeve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.  Edhe një herë, por asnjëherë mjaftueshëm përsëritja e qëndrimit se respektimi i masave parandaluese nga qytetarët është jetik në parandalimin e përhapjes së pandemisë”, ka thënë Nagavci.