AAK-ja propozon ndarjen e nga 100 eurove për çdo qytetar
Foto: Laura Hasani

AAK-ja propozon ndarjen e nga 100 eurove për çdo qytetar

Aktuale April 06, 2020 - 13:11
Përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbajtur sot konferencë për medie lidhur me shqetësimin për thellimin e krizës në ekonomi si pasojë e pandemisë COVID-19, raporton “Zëri.info”
Image

 

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, gjatë një konference për medie theksoi se përveç përballjes për mbrojtjen e shëndetit të njeriut, vendi në këtë kohë është duke u përballur edhe me mbrojtjen e ekonomisë së vendit.

“Beteja për shëndetin e njeriut duhet të bëhet bashkë me betejën për mbrojtjen e ekonomisë. Tashmë jemi te vetëdijshëm se krizën ekonomike e kemi në derë dhe pasojat do të jenë edhe më të rënda nëse reagimi nuk do të jetë i fuqishëm dhe i shpejtë. Masat e propozuara nga Qeveria nuk mjaftojnë dhe implementimi po shkon shumë ngadalë dhe është i ngarkuar me procedura dhe me paqartësi, që edhe më shumë do të shkaktojë vonesa e që do të ndikojë në rritjen e pasigurisë ekonomike”, ka thënë Abrashi.

Ndër të tjera ai theksoi që në masat e parapara nga Qeveria e Kosovës nuk janë përfshirë punëtorët që punojnë pa kontrata, si dhe kategori që kanë nevojë për ndihmë.

“Në këto masa nuk janë përfshirë edhe shumë kategori si: punëtorët pa kontrata, ekonomitë e vogla familjare e të vetëpunësuarit e paregjistruar, nënat vetushqyese që varen nga alimentacioni, familjet që jetojnë nga remitancat. Si kurrë më parë secili qytetar duhet të ndiejë dorën e shtetit, andaj ne si AAK propozojmë që të ndahen si mbështetje e menjëhershme për secilin qytetar të Kosovës nga 100 euro. Mbështetja do të shpërndahej duke u bazuar në ekstraktet familjare në secilën komunë të Kosovës. Nga ekstraktet të nxirret saktë numri i familjeve dhe i anëtarëve të tyre pa dallim në tejkalimin e situatës së rënduar nga pandemia”, ka thënë më tutje Abrashi.

Sipas tij, përfitimi do të ishte i dyfishtë, ndërsa vlera do të arrinte në 170 milionë euro.

“Përfitimi do të jetë i dyfishtë, do ta mbështesim secilën familje dhe në të njëjtën kohë me futjen e këtyre mjeteve në qarkullim do të rrisnim konsumin e kjo ndikon drejtpërdrejt në arkëtimin e parasë ne arkën e shtetit. Në llogaritjet e bëra vlera e kësaj mbështetjeje do të ishte 170 milion euro”, ka thënë më tutje deputeti i AAK-së.

Më tutje ai ka thënë që Kuvendi i Kosovës duhet që urgjentisht të bëjë rishikimin e buxhetit, raporton “Zëri.info”.

“Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë menjëherë rishikimin e buxhetit dhe rialokimin e mjeteve duke ndjekur nevojat aktuale në sinkronizim me kryetarët e komunave të vendit. Borxhi publik i Kosovës është më i vogli në krahasim me vendet e rajonit, prandaj edhe rritja e këtij borxhi duhet parë si një mundësi që të sigurojmë mbështetje financiare të qytetarëve dhe të bizneseve. Duhet gjetur mundësia e shfrytëzimit të mjeteve të AKP-së, rreth 270 milionë të deponuara në BQK dhe mundësinë e alokimit të këtyre mjeteve për të shpëtuar ekonominë e vendit”, ka thënë Abrashi.

Për sa i përket Pakos Emergjente Fiskale të miratuar nga Qeveria e Kosovës, sipas AAK-së, është e pamjaftueshme.

“Pakoja Emergjente e Qeverisë së Kosovës për ndihmesë në përballjen me pasojat e pandemisë në vlerë 170 milionë euro është e pamjaftueshme. Situata kërkon reagim më të fuqishëm dhe më të shpejtë, se dëmet që po shkaktohen mund të jenë të pariparueshme nëse nuk reagohet menjëherë”, ka thënë ai, përcjell “Zëri.info”.

Në ndërkohë këtyre ditëve nga njohësit e çështjeve të ekonomisë është paralajmëruar që në rast të vazhdimit të kësaj gjendjeje edhe për një kohë vendi mund të futet në krizë të thellë ekonomike. Së fundmi Trusti ka deklaruar humbje milionëshe si pasojë e përhapjes së virusit. /Zëri