Infektuar: 9274
Shëruar: 5190
Vdekur: 269
Përplasje e kontradikta mes Presidencës dhe Qeverisë për pandeminë në veri
FOTO: Laura Hasani

Përplasje e kontradikta mes Presidencës dhe Qeverisë për pandeminë në veri

Aktuale April 05, 2020 - 12:44
Çka po ndodh në veri të Kosovës?

Dy komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së Covid-19, janë futur në karantinë, teksa një veprim i tillë ka shkaktuar përplasje mes Presidentit të vendit, Hashim Thaçit si dhe Qeverisë në detyrë. Derisa presidenti po e fajëson Qeverinë në detyrë se po rrezikon integritetin territorial të vendit, nga Qeveria thonë se e kanë situatën nën kontroll, shkruan "Zeri"

Image



Vendimi i fundit i dy komunave në veri të Kosovës, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit ka shkaktuar përplasje të reja mes presidentit të vendit Hashim Thaçit, si dhe qeverisë në detyrë. Futjen në karantinë me vendim të njëanshëm të këtyre dy komunave, presidenti Thaçi po e cilëson si të pa pranueshme. Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” Thaçi e kritikoi Qeverinë në detyrë, e cila sipas tij është duke e rrezikuar integritetin territorial të vendit. “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi. Në anën tjetër nga Qeveria kanë thënë se kanë se Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e përfshirë në situatën emergjente të shëndetit publik në komunat veriore të vendit, në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan. Ndërkohë sot në një reagim, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq se po tentojnë të nxisin tensione për interesa të tyre.


LEXO EDHE: Federata Evropiane e Gazetarëve: Vuçiq e Thaçi po përdorin krizën me koronavirus për të nxitur tensione në veri

Thaçi: Qeveria e Kosovës nuk po e mbron integritetin territorial të vendit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e cilëson situatën e krijuar me pandeminë në komunat e veriut të Kosovës si të pa pranueshme. Dje i pari i presidencës përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se kjo situatë është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. “Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Tutje ai ka ftuar Qeverinë në detyrë që të përmbushë përgjegjësinë e saj ndaj gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe atyre të komunave veriore. “Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës. I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Qeveria në detyrë thotë se e ka situatën nën kontroll

Derisa ende nuk ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për situatën në veri kanë folur vetëm pjesëtar të tjerë të kabinetit qeveritar, të cilët vlerësojnë se situata në veri po menaxhohet nga Qeveria në detyrë, raporton tutje "Zeri"

Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Mitrovica e Veriut dhe Zveçanit janë futur në karantinë për shkak të 16 rasteve të konfirmuara me koronavirus.

Përmes një postimi në “Facebook” Sveçla ka potencuar se masat janë ndërmarrë nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai nuk ka treguar nëse karantinimi është rekomanduar nga institucionet e Kosovës apo Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. “Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura”, ka shkruar Sveçla.

LDK: Qeveria po hesht përballë atakut të drejtpërdrejt të sovranitetit të vendit

Dje gjatë ditës për këtë situatë kanë reaguar edhe nga ish partneri qeverisës i VV-së, LDK-ja, të cilët vlerësojnë se situata në veri është shqetësuese. Tutje nga kjo parti kanë theksuar se qeveria e vendit po qëndron e heshtur karshi këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitit të vendit. “Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Federata Evropiane e Gazetarëve thotë se Thaçi dhe Vuçiq po e përdorin virusin për të nxitur tensione në veri

Lidhur me situatën e krijuar në veri, kanë reaguar të dielën edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) të cilët përmes një shkrimi kanë akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq se po tentojnë të nxisin tensione për interesa të tyre. “Duket qartë që disa politikanë, duke nisur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po e përdorin krizën me koronavirus për të nxitur tensione politike e sociale në interes të tyre. Ftojmë gazetarët të mos hyjnë në këtë lojë dhe të veprojnë në interes të publikut”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së, Ricardo Gutierrez.

Në një reagim të EFJ-së thuhet se “karantina në qytetin e Mitrovicës Veriore ka rezultuar në mbulim të papërshtatshëm dhe joetik nga mediat”.

Tutje në këtë reagim përmenden edhe “deklarimet dhe pyetjet provokative nga një gazetare e RTK-së gjatë raportimit direkt nga Mitrovica e Veriut të shtunën e që nxitën një valë reagimesh në Kosovë” dhe “portali “Sinjali”, pronë e avokatit Besnik Berisha (këshilltar politik i ish-kryeministrit), që krijoi polemika duke publikuar emrat, adresat dhe datat e lindjes së 210 qytetarëve, shumicë serbë dhe romë, që ishin në karantinën në Mitrovicën e Veriut dhe qytete tjera. Pas reagimeve nga publiku dhe Asociacioni i Gazetarëve Serbë në Kosovë, “Sinjali” mbuloi informatat personale të këtyre qytetarëve”.

Misioni i OSCE-së në Kosovë ka kërkuar nga mediat të respektojnë privatësinë e pacientëve dhe në asnjë mënyrë të mos zbulojnë identitetet e të prekurve./ZERI