Abdixhiku: Dy javë rresht ishim shembullorë si vend e si shtet, mos ta prishim në fund

Abdixhiku: Dy javë rresht ishim shembullorë si vend e si shtet, mos ta prishim në fund

Aktuale April 04, 2020 - 22:53

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje të qëndrohet në shtëpi, këto ditë kur nëpër qytete janë parë më shumë persona duke lëvizur lirshëm.

E ka publikuar përsëri një grafikon ku Kosova shënon rastet më të pakta me Covid-19. Por, ka bërë thirrje të durohet edhe pak e “mos ta prishim në fund”. 

“Sot një javë e quajta “grafikon të shpresës”. Një javë më pas s’është veçse shpresë, është fakt. Fakt i mirë madje. Kosova ka arritur ta mbajë lakoren e saj të sheshtë. E bëmë këtë falë organizimit të mirë institucional – por mbi të gjitha – falë sjelljes sonë kolektive. Sepse qëndruam në shtëpi për dy javë rresht. Ishim shembullorë si vend e si shtet”, shkruan Abdixhiku në Facebook.

“Por, fatkeqësisht, këto 3 ditët e fundit ishin krejt ndryshe. Sikur e humbëm durimin disi në fund. Rrugë të mbushura, vetura përplot, lëvizje të zakonta. Nga i gjithë ky çlirim? Britania i ka shënuar 700 të vdekur veç sot. Me mijëra të tjerë – në ditë – vazhdojnë të vdesin në Spanjë, Itali, Francë e SHBA. Janë vendet më të fuqishme këto. Sistemet e tyre shëndetësore po gjunjëzohen. Kështu – për pak ditë – e krejt pa nevojë, po e rrezikojmë gjithë suksesin tonë. Kur të shpërthejë do të jetë krejt e kotë përpjekja jonë e deritanishme. Ndikimet e sotshme do t’i shohim një javë nga sot”, thotë tutje Abdixhiku.

Abdixhiku, ministër në detyrë, thekson se ka pasur “nderin që bashkë me kolegët e tjerë në qeveri t’i takojë mjekët më me zë që ky vend i ka; përfshirë dhe profesorë të nderuar të dalë kaherë në pension e që janë riaktivizuar sërish me këshillim”

“Të gjithë, me një zë, vazhdojnë të na kërkojnë vetëm një gjë – të rrimë në shtëpi. Prandaj të tregojmë veç edhe pak durim. Asgjë s’na ikë për pak ditë. Mos ta prishim në fund. Po na ecën mirë. Sot, në ditën e 23-të kemi më shumë të shëruar se sa të infektuar; dhe kjo është mrekulli. Ta mbajmë kështu. Qëndroni në shtëpi”, shkruan Abdixhiku.