KDI-ja, kundër vazhdimit të praktikave të kapjes së shtetit

KDI-ja, kundër vazhdimit të praktikave të kapjes së shtetit

Aktuale April 03, 2020 - 13:25

Instituti Demokratik i Kosovës thekson se me shqetësim po ndjek veprimet e Qeverisë në detyrë, e cila sipas KDI-së në kohë të pandemisë COVID-19 po vazhdon me shkarkimin e bordeve ekzistuese të ndërmarrjeve, për t’i zëvendësuar ato me njerëz të subjektit të tyre

Në reagimin e KDI-së thuhet se në strategjinë e zgjerimit të BE-së për shtetet e Ballkanit perëndimor citohet se këto shtete, ku bën pjesë edhe Kosova, tregojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të administratës. “Vendosja e figurave që më parë ishin kandidatë për subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit është në kundërshtim me ligjet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të çkapen nga politika e do të jenë profesionale, të pavarura dhe me integritet”, thuhet në reagim.

KDI-ja kërkon që Qeveria në detyrë urgjentisht ta ndalojë një praktikë të tillë, ndërsa procesit të rekrutimit duhet t’i paraprijë shpallja e konkurseve publike në mënyra që në këto borde të rekrutohen njerëz me besueshmëri, me integritet e me profesionalizëm. “Qeveria në detyrë duhet të vazhdojë memorandumet e bashkëpunimit me Ambasadën Britanike në Kosovë për rekrutimin e bordeve dhe të pozitave tjera udhëheqëse në Kosovë, ashtu që të kemi përmes një procesi transparent e llogaridhënës. Me ndihmën e Ambasadës dhe nën mbikëqyrjen e shoqërisë civile të mundësohet zgjedhja e bordeve të ndërmarrjeve publike, të jenë profesionale e jo politike, me integritet e jo të kapura”, thuhet në reagim.