Sot i bëhen analizat mjekut të izoluar të QKMF-së së Prizrenit, që vizitoi vjehrrin e infektuar

Sot i bëhen analizat mjekut të izoluar të QKMF-së së Prizrenit, që vizitoi vjehrrin e infektuar

Aktuale April 03, 2020 - 12:10

Mbrëmë është konfirmuar edhe një rast i ri me koronavirus në Prizren. E infektuara është nga fshati Korishë. Ministria e Shëndetësisë mbrëmë ka vendosur që ky fshat të futet në karantinë, meqenëse nuk dihet burimi i infeksionit. Ndërkohë, sot do të testohet edhe mjeku i QKMF-së që pati kontakt me vjehrrin e infektuar

Detaje rreth gjendjes atje ka dhënë drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu. Në një prononcim për gazetën “Express” Shehu ka thënë se mbrëmë e kanë pranuar vendimin e MSH-së që Korisha të futet në karantinë.

Shehu ka treguar se sot i janë marrë mostrat edhe mjekut të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, përkatësisht urgjencës, meqenëse i njëjti ka pasur kontakt me vjehrrin e tij, i cili ka rezultuar pozitiv për COVID-19. “Mbrëmë e kemi pranuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë që Korisha të futet në karantinë. Ka dy arsye për këtë. Njëra është se nuk dihet burimi i infeksionit dhe tjetra meqenëse dyshohet se e infektuara ka pasur kontakt edhe me persona të tjerë. Tash Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik do të marrë edhe mostrat e atyre që dyshohet se kanë pasur kontakt, por për këtë deklarohet IKSHP-ja. Sot në orën 10:00 i janë marrë mostrat edhe mjekut të QKMF-së dhe sonte pritet të dalin rezultatet edhe për të”, ka thënë Shehu për “Express”-in.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se është konfirmuar edhe një rast i ri me COVID-19. Aktualisht numri i të infektuarve në gjithë vendin është 126, në mesin e të cilëve edhe një foshnje 5-muajshe. “Sot pasdite përfundoi testimi i 58 pacientëve të dyshimtë nga Klinika Infektive dhe Klinika e Pulmologjisë, ku njëri (1) prej të cilëve rezultoi pozitiv. Pacientja është nga Korisha e Prizrenit. Do të hulumtohen të gjitha kontaktet dhe do të testohen”, thuhet në njoftim.

Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në Kosovë më 13 mars. Për shkak të koronavirusit autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.