Kapja e bordeve: Rron Gjinovci ndihet i zhgënjyer, Enver Robelli e quan LVV-në të etur

Kapja e bordeve: Rron Gjinovci ndihet i zhgënjyer, Enver Robelli e quan LVV-në të etur

Aktuale April 03, 2020 - 11:53

Emërimet partiake që bëri dje Qeveria në bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike kanë nxitur reagime edhe tek ata që e përkrahin LVV-në dhe qeverinë “Kurti”.

Enver Robelli i ka quajtur “të etur” e Rron Gjinovci ndihet i zhgënjyer.

Dastid Pallaska, konsekuent me vërejtjet e tij ndaj qeverisë “Kurti” dhe ndaj LVV-së, thotë se këto veprime konfirmojnë se kjo parti nuk dallon aspak nga partitë e tjera.

Lëvizja Vetëvendosje nisi misionin e saj për çkapjen e shtetit duke kapur disa prej bordeve të ndërmarrjeve publike, në të cilat vendosi njerëz të saj, pasi largoi ata që supozoheshin se ishin vendosur nga partitë e tjera

Ditë më parë Qeveria shkarkoi Bordin e Shërbimit Spitalor, për ta ngarkuar atë me anëtarë të tjerë, ndër ta edhe Mirsad Shkreta, që ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet.

Ky ishte vetëm fillimi i zëvendësimit të të emëruarve politikë të mëhershëm me anëtarë të LVV-së, në bordet e ndërmarrjeve publike, ku partitë duhet të qëndrojnë larg tyre.

Qeveria në detyrë dje emëroi bordet e përkohshme të tri ndërmarrjeve publike, duke vendosur në krye të tyre anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Artan Dermakun e ka emëruar drejtor në bordin e ndërmarrjes publike qendrore Hekurudhat e Kosovës – Infrakos, ndërkaq Mentor Hysenin në bordin e KRU “Prishtina”. Të dy të anëtarësuar zyrtarisht në partinë e Kurtit.

Publicisti dhe gazetari Enver Robelli, që rrallë shihet ta kritikojë Lëvizjen Vetëvendosje, dje ironizoi me partinë e Kurtit, duke thënë se shumë e etur dhe se ka kapur së pari Bordin e Ujësjellësit. “Me gjasë shumë e etur LVV-ja. Andaj e ka kapur se pari Bordin e Ujësjellësit. Për ta shuar etjen. Erdhi dita. Veç nuk po dihet: kapje a çkapje?”, ka shkruar Robelli.

Analisti Rron Gjinovci është ndier i dëshpëruar, duke shkruar se është e papranueshme emërimi i njerëzve të LVV-së dhe kërkoi që këta emra të zëvendësohen me ekspertë. Nëse veprimet e tilla përsëritën, sipas Gjinovcit, i bie që ka filluar kapja e re. “Vendosja neper borde e njerëzve të LVV-së është e papranueshme. Kryeministri duhet me dhane shpjegim, me kerku falje dhe me i zavendesu krejt emrat partiakë me emra ekspertësh. Ndërkohe, mediet me qene hala ma vigjilente se mos kryeministri dhe ministrat po bëjnë veprime të ngjashme. E nëse këto veprime përsëriten, atëherë i bie qe nuk janë gabime, por zëvendësim i planifikum i kapjes së deritashme me kapjen e re”, ka shkruar Gjinovci në “Facebook”.

Agron Demi, nga instituti GAP, e ka quajtur veprim të pështirë mbushjen e bordeve me anëtarë të partisë në pushtet. “Një ndër veprimet më të pështira të partive është mbushja e bordeve me anëtarë të partive në pushtet. Bordet duhet të shërbejnë për avancimin e ndërmarrjes e jo për shlyerjen e borxheve të partive. Andaj zëvendësimi i bordeve partiake me anëtarë të partisë tash në pushtet është vetëm vazhdim i degradimit të ndërmarrjeve me metoda të njëjta, përmes emrave të rinj”, ka shkruar Demi.

Avokati Dastid Pallaska shkruan se me veprimet e fundit LVV-ja vetëm konfirmoi se nuk dallon nga partitë tjera politike që kanë udhëhequr në 20 vjet. “Kjo tregon se Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet asgjë më shumë se vazhdimësi të konceptit politik të këtyre 21 vjetëve që partitë politike dhe njerëzit e lidhur me politikë duhet t’i kontrollojnë të gjitha resurset ekonomike të këtij vend edhe ashtu të varfër”, ka shkruar Pallaska.

Sipas avokatit, ndryshimi i vetëm me ardhjen e LVV-së në pushtet janë keqpërdoruesit e rinj, të cilët “do të marrin tani hisen e plaçkës”.

“Rrjedhimisht, ndryshimi i vetëm që do të sjellë kjo parti politike janë emrat e përveçëm të keqpërdoruesve, të cilët tani do të marrin hisen e plaçkës për të cilën kanë luftuar në rrugën e tyre për pushtet”, ka shkruar Pallaska.

Analisti Blerim Vela, i cili së fundmi ka përkrahur qëndrimet e LVV-së, thotë se emërimi i bordeve drejtuese pa përfshirjen e Ambasadës Britanike është vetëm improvizim. “Emërimet ne bordet/ekipet drejtuese të kompanive publike pa ndjekjen e kritereve strikte profesionale dhe pa përfshirjen e projektit të Ambasadës Britanike, siç është premtuar në programin qeveritar, është improvizim. Çdo kthim në modelin kur libreza partiake krijon përparësi në emërim është përsëritje e gabimit që qeverisjet e kaluara e kanë bërë në mënyre sistematike. Sidomos kur emërimet e tilla kërkojnë profil profesional, që shume veta e kanë në Kosovë. Ai model është dashur të përfundojë një herë e përgjithmonë më 6 tetor”, ka shkruar Vela.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se kushdo që u duartroket veprimeve të fundit të Qeverisë bëhet argat i kapjes së shtetit. “Emërimet politike nga qeveria ‘Kurti’ në bordet e ndërmarrjeve publike i takojnë modelit, të cilin qytetarët e kanë ndëshkuar më 6 tetor. Kështu nuk çkapet shteti. Ata që u duartrokasin këtyre veprimeve veç ia bëjnë një argat kapjes së shtetit”, shkruan sot Mushkolaj.