Pallaska: Ndryshimi i vetëm i LVV-së, do t'i ndërrojë emrat e plaçkitësve

Pallaska: Ndryshimi i vetëm i LVV-së, do t'i ndërrojë emrat e plaçkitësve

Aktuale April 03, 2020 - 11:35

Emërimet e fundit politike nëpër borde publike të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje kanë ngjallur reagime të shumta të opinionit publik.

Ka reaguar ashpër edhe avokati i njohur kosovar Dastid Pallaska, sipas të cilit partitë politike në Kosovë kanë mospajtime vetëm sa i përket shpërndarjes së pasurisë së vjedhur ose të keqpërdorur. “Nëse arrijmë të shohim përtej propagandës do ta kuptojmë se në thelb partitë politike në Kosovë kanë vetëm një mosmarrëveshje ndërmjet vete sa i përket vjedhjes dhe keqpërdorimit të shtetit. Mosmarrëveshja ka të bëjë vetëm me shpërndarjen e pasurisë së vjedhur ose të keqpërdorur, asgjë më shumë”, ka shkruar Pallaska.

Prandaj sipas Pallaskës, partitë politike në Kosovë janë kundër vjedhjes së shtetit vetëm kur një gjë e tillë bëhet nga kundërshtarët politikë dhe sipas tij një gjë të tillë e vërtetojnë emërimet e fundit të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje. “Kjo është arsyeja pse partitë politike janë kundër vjedhjes dhe keqpërdorimit të shtetit vetëm kur kjo bëhet nga kundërshtarët politikë dhe vetëm kur këto parti politike nuk e marrin hisen e tyre në këtë plaçkë. Këtë e vërtetoi së fundi edhe Lëvizja Vetëvendosje me emërimin e militantëve të vet në bordet e ndërmarrje publike kryesore në vend”, potencon Pallaska.

Ai thotë se emërimet e tilla politike nëpër borde tregojnë që partia e Kurtit është një vazhdimësi e konceptit politik të pasluftës në Kosovë, ku njerëz të lidhur me pushtetin dhe partitë politike duhet t’i kontrollojnë resurset ekonomike të vendit. “Kjo tregon se Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet asgjë më shumë se vazhdimësi të konceptit politik të këtyre 21 vjetëve që partitë politike dhe njerëzit e lidhur me politikë duhet t’i kontrollojnë të gjitha resurset ekonomike të këtij vend edhe ashtu të varfër”, shton ai.

Pallaska thotë se ndryshimi i vetëm që do të sjellë Lëvizja Vetëvendosje do të jetë ndërrimi i emrave të plaçkitësve, të cilët tashmë dëshirojnë të marrin hisen e tyre, për të cilën edhe kanë luftuar në rrugën drejt ardhjes në pushtet. “Rrjedhimisht, ndryshimi i vetëm që do të sjellë kjo parti politike janë emrat e përveçëm të keqpërdoruesve, të cilët tani do të marrin hisen e plaçkës për të cilën kanë luftuar në rrugën e tyre për pushtet”, ka theksuar Pallaska.

Në fund ai thotë se ndryshimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur shteti dhe partitë politike zvogëlojnë kontrollin e tyre mbi resurset ekonomike të Kosovës. “Ndryshimi i vërtetë vjen vetëm atëherë kur shteti dhe partitë politike e zvogëlojnë kontrollin e tyre mbi resurset ekonomike të vendit dhe u mundësojnë qytetarëve të lirë të këtij vendi që me dijen dhe me mundin e tyre të punojnë për t’ia siguruar mirëqenien vetes dhe familjes”, ka përfunduar Pallaska.