Së shpejti lirohen edhe disa pacientë kosovarë të shëruar nga koronavirusi

Së shpejti lirohen edhe disa pacientë kosovarë të shëruar nga koronavirusi

Aktuale April 03, 2020 - 10:10

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se mbrëmë, në testimin e dytë të mostrave, që dyshohej se janë infektuar me koronavirus, të gjitha mostrat kanë rezultuar negative

Dje janë testuar 118 mostra në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Klinikën Infektive, fatmirësisht asnjë rast nuk është konfirmuar se është infektuar me COVID-19.

Salih Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive, bëri me dije se në këtë Klinikë janë të shtrirë 43 pacientë me koronavirus. “10 pacientë janë duke pritur testin, ata janë pranuar mbrëmë”, tha ai sot në Radio Televizionin e Kosovës.

Ai bëri me dije se disa pacientë do të lirohen së shpejti. “Kosova është mirë në krahasim me vendet e tjera. Brenda disa ditëve do të lirohen disa pacientë. Dje kemi pranuar edhe një foshnjë, gjendja është e mirë fatmirësisht”, theksoi ai.

Ahmeti bëri me dije se janë edhe katër infermiere të infektuara.

Sipas tij, mjekët do të jenë gjithherë në shërbim të qytetarëve.