Rasti i parë në Kamenicë: Erdhi nga Gjermania, theu karantinën për dy javë, sot u konfirmua me koronavirus

Rasti i parë në Kamenicë: Erdhi nga Gjermania, theu karantinën për dy javë, sot u konfirmua me koronavirus

Aktuale March 30, 2020 - 22:44

B.M, i cili sot ka rezultuar pozitiv me koronavirus nga fshati Topanicë i Komunës së Dardanës, vetëm një ditë para se të mbylleshin kufijtë (13 mars), ka hyrë nga Gjermania në Kosovë.

I njëjti nuk i ka përfillur rregullat e karantinimit, nuk ka qëndruar fare në izolim. Madje, disa herë është kërkuar nga Policia e Kosovës në shtëpinë e tij, por nuk kanë arritur ta gjejnë.

Gazeta Insajderi, mëson se ai ka vozitur autobusin e kompanisë “Maxhari Tours”.

Ky rast tregon për papërgjegjësinë e një qytetari, i cili do të duhej të qëndronte për dy javë të paktën në izolim, për të parë nëse është prekur ose jo nga koronavirusi, pasi vinte nga një shtet që tashmë ishte prekur nga COVID-19.

Bazuar në këto të dhëna ai ka pasur kontakte edhe me familjarë e njerëz të tjerë përreth, të cilët aktualisht mund të jenë të rrezikuar, pasi virusi është bartës.

Në lidhje me gjendje e banorit nga Kamenica ka folur edhe kryetar i kësaj komuna, Qëndron Kastrati, i cili përmes një shkrimi ka thënë se gjendja e tij është e mirë.

“Siç keni mund ta dëgjoni edhe përmes lajmeve, është regjistruar rasti i parë me COVID-19 nga Kamenica. Gjendja e personit në fjalë është e mirë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKShP-në”, ka shkruar ai në Facebook, përcjell Insajderi.

Sonte janë konfirmuar 12 raste të reja me COVID-19 në Kosovë.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, 5 prej të cilëve janë me vendbanim në Malishevë. 3 me vendbanim në Fushë Kosovë, 2 me vendbanim në Prishtinë, 1 me vendbanim në Mitrovicë dhe 1 në Kamenicë”, u tha në njoftimin e IKShPK-së.

Numri i të infektuarve ka arritur në total 106, një person ka vdekur teksa  dy janë shëruar./Insajderi