Klina do të qëndrojë në karantinë deri më 6 prill

Klina do të qëndrojë në karantinë deri më 6 prill

Aktuale March 29, 2020 - 14:42

Komuna e Klinës e ka mirëpritur vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, vendim ky i cili thotë që kjo komunë të qëndrojnë në karantinë deri me 6 prill, në mënyrë që të mos shënohen raste të reja të pandemisë COVID-19.

Kështu bëri të ditur drejtori i shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në komunën e Klinës, Hekuran Sejdiu, sipas të cilit nuk duhet të konsiderohet si problem heqja e karantinës, pasi që ajo mbron në mospërhapjen e mëtejme të virusit korona.

Ai deklaroi se pjesa e karantinës nuk duhet të merret me siklet dhe të ketë veprime të ngutshme për heqjen e saj.

“Ne po e përcjellim situatën, besoj që është pozitive, por nuk do të thotë qe ne me eufuizëm të mendojmë për heqje të karantinës, sepse karantina është diçka për të mirën e shëndetit publik. Të mirën e preventivës së kësaj situate, nuk duhet ta marrim me siklet karantinës heqjen apo mos heqjen e saj. Duhet të jemi të angazhuar maksimalisht që të bien statistikat, të mos kemi raste dhe shpresojmë që sa më shpejt Klina dhe e gjithë Kosova largohet nga izolimi dhe nga shqetësimi që po na kanoset”, u shpreh Sejdiu.

Sa i përket respektimit të karantinës në këtë komunë, Sejdiu theksoi se qytetarët po i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar, Qeverisë dhe rregullat e karantinës.

Kur jemi te përkrahja dhe ndihmat që kjo komunë ka pranuar gjatë kësaj situate të krijuar me pandeminë COVID-19, Sejdiu deklaroi se janë të furnizuar me ushqim dhe masa mbrojtëse mjaftueshëm.

Tutje, ai shtoi se qytetarët e kësaj komune i ka ndihmuar qeveria, donatorët dhe komuna e Klinës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 14 mars ka marrë vendim për ndalimin e hyrje-daljeve në komunën e Klinës, pas paraqitjes së rastit të parë nga kjo komunë, të infektuar me koronavirus. Ajo ishte një shtetase e Italisë e cila punonte në Kosovë. Por për fat të mirë, raste të tjera nga ky qytet nuk ka pasur.