Vetëvendosje reagon ndaj Haradinajt, publikon raportin financiar të zgjedhjeve – kaq para shpenzuan

Vetëvendosje reagon ndaj Haradinajt, publikon raportin financiar të zgjedhjeve – kaq para shpenzuan

Aktuale March 27, 2020 - 22:16

Bekim Gashi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ku ky i fundit në një intervistë për Gazetën Insajderi tha se VV-ja ka pasur fushatën më të shtrenjtë.

Gashi përmes një postimi në llogarinë e tij ka publikuar raportin financiar të fushatës së Vetëvendosjes duke thënë se Haradinaj është duke shpifur, raporton Gazeta Insajderi.

“Reagim për gënjeshtrat dhe shpifjet e Ramush Haradinajt Ramush, ketu e ke Raportin Financiar të fushatës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! i cili është publikuar në dhjetor 2019. Meqenëse po shpifni për transparencë, atëherë na trego ti se ku e ke të publikuar Raportin Financiar të zgjedhjeve?”

Sipas raportit të publikuar nga anëtari i VV-së, Bekim Gashi Vetëvendosje, ka shpenzuar në total 452 mijë euro.

“Sa për shpenzimet, ne si Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi shpenzuar në total 452 mijë euro, ndërsa në bazë të publikimeve nga KQZ ju keni deklaruar 462 mijë euro, pra keni shpenzuar 10 mijë euro më shumë se sa Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Gashi.

Në një intervistë ekskluzive për Insajderin, Haradinaj është shprehur se Kurti e ka pasur fushatën më të shtrenjtë, prej të gjithë kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.

Ai ka thënë se Kurti ende nuk i ka treguar financat e tij dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kurti si ka treguar ende Kosovës se sa para ka shpenzuar për fushaten e tij që ka qenë më e shtrenjta nga gjithë ne. Le të tregojë ai sa pare harxhon për të gjitha këto faqe të përkrahësve të tij, sepse kushton me mbajt një infrastrukturë të tillë. Ai financohet nga qarqe të dyshimta që janë kundër Kosovës”, ka thënë Haradinaj.