Opozita kritikon Qeverinë për mospublikim të programit

Opozita kritikon Qeverinë për mospublikim të programit

Aktuale February 28, 2020 - 11:30

Po bëhet gati një muaj prejse është formuar qeveria, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, mirëpo partnerët e koalicionit ende nuk e kanë publikuar programin qeverisës, shkruan sot gazeta Zëri.

 Deri më tash në publik ka dalë vetëm një dokument-marrëveshje e arritur mes LVV-së dhe LDK-së, në të cilin janë paraqitur sipërfaqësisht disa pika programore. Përpos këtij dokumenti, i cili është përmbledhur në më pak se 20 faqe, partitë qeverisëse nuk kanë shfaqur ndonjë dokument më të detajuar. Nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë gazetës se programi është në finalizim, ndaj në këtë fundjavë do të ketë diskutim me të gjithë ministrat, në mënyrë që të nxirret edhe plani i fundit i Qeverisë. Për mospublikimin e programit qeverisës deri më tash qeveria “Kurti” ka marrë kritika të ashpra nga partitë opozitare. Përfaqësues të PDK-së kanë thënë se LVV-ja e LDK-ja deri më tash kanë paraqitur vetëm disa tituj rreth çështjeve të rëndësishme, pa treguar fare se si do t’i trajtojnë dhe si do t’u qasen atyre.

Deputetët e opozitës ditën e votimit të qeverisë së re kishin pranuar nga një kopje të dokument-marrëveshjes, ku paraqiteshin sipërfaqësisht pikat programore, që nga partitë në pushtet po quhet ekstrakt i programit. Por sipas zyrtarëve të PDK-së pikat e paraqitura aty janë vetëm tituj të temave që mëtohen të trajtohen, asgjë më shumë. “Nuk ka asnjë specifikim në çfarë mënyre do të trajtohen, si do t’u qasen temave. Prandaj edhe kur të vijë momenti, për shembull pas 100-ditëshit, që ta matim performancën e tyre, është pak problem të dihet se çka të vlerësohet derisa ata nuk e kanë një plan të detajuar se çka do të bëjnë”, ka deklaruar ai.

Sipas nënkryetarit të PDK-së, Qeveria duhet ta publikojë programin atë ditë kur votohet në Kuvendin e Kosovës. Kësisoj me votimin e qeverisë, sipas tij, duhet të ndodhë edhe votimi i programit. Por aktualisht, siç Totaj është shprehur, deputetët ende nuk kanë pranuar një program, me të cilin synon të qeverisë qeveria “Kurti”. “Nuk u është dorëzuar program deputetëve, ne nuk e dimë se çka përmban ai program. Kështu që nuk e dimë saktësisht se në çfarë drejtimi po lëviz Qeveria. Nuk e ka një program të shkruar, të detajuar, në bazë të të cilit pastaj mund ta matim performancën e kësaj qeverie”, ka thënë ai për “Zërin”.

Më 3 shkurt të këtij viti, me 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, Kuvendi i Kosovës votoi qeverinë e re të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. /ZERI