"Zëvendësimi i taksës me reciprocitet, lojë e qeverisë 'Kurti'"

Aktuale February 27, 2020 - 12:34
Lexo Detajet

Deputetja e AAK-së Albena Reshitaj në një intervistë për "Zërin", e ka kritikuar Qeverinë "Kurti" lidhur me vendimin e tyre për heqjen e taksës. 

Sipas Reshitaj kjo qeveri po e përdor reciprocitetin si masë karshi Serbisë, për t'i zbutur paralajmërimet për heqjen e taksës.

Për më shumë lexoni intervisten e Reshitaj për "Zërin".

Zëri: A pajtoheni me vendimin e qeverisë “Kurti” për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet?

Reshitaj: Fillimisht nuk ka logjikë që taksa të zëvendësohet me reciprocitet, sepse taksa është diçka tjetër e reciprociteti diçka tjetër. Kjo ka qenë një lojë politike e LDK-së dhe e LVV-së, që është përdorur gjatë fushatës zgjedhore, e cila ka edhe logjikë për gjykimin tim. Mirëpo tani është mirë të ekzistojë një transparencë, një qartësi më e mirë e Qeverisë ndaj qytetarëve, sepse reciprociteti është një proces që mund të fillojë nëse dy shtete e njohin njëra-tjetrën, nëse dy shtete kanë filluar bashkëpunimin diplomatik, marrëdhëniet diplomatike, kurse taksa ka qenë si një kundërpërgjigje ndaj agresionit serb në aspektin ekonomik, politik, diplomatik, që në atë periudhë ka qenë shumë i madh dhe vazhdon të jetë. Prandaj ne mendojmë që taksa duhet të suspendohet vetëm kur ne të kemi një kontratë të njohjes ose atëherë kur të na premtohet që në një periudhë të caktuar do ta kemi atë. Vetëm atëherë mund të fillojmë me procesin e reciprocitetit.

Zëri: Znj. Reshitaj, ish-kryeministri Haradinaj me dhjetëra herë kishte premtuar heqjen e vizave, proces ky që ende nuk është finalizuar për Kosovën. A ndiheni përgjegjës për këtë dështim?

Reshitaj: Këtë pyetje do të duhej t’ua bënim përfaqësuesve kompetentë të Bashkësisë Evropiane, që janë përgjegjës për liberalizimin e vizave, sepse Kosova qëmoti ka plotësuar kriteret për të marrë liberalizimin e vizave. Ky proces po përdoret si një lloj karte politike që të na shtyjnë t'i marrim disa vendime ose t’i shtyjmë disa procese të tjera para. Deklaratat e kryeministrit Haradinaj kur ka thënë se jemi afër liberalizmit nuk kanë qenë mendime të tij pa marrë një përkrahje ose një premtim të Bashkimit Evropian. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitet e kaluara, prandaj nuk e konsideroj këtë gjë gabim të liderëve, sepse ashtu i është thënë nga BE-ja.