Reshitaj: Me kokëfortësi e me rebelizëm nuk zgjidhen problemet e vendit
Foto: Laura Hasani

Reshitaj: Me kokëfortësi e me rebelizëm nuk zgjidhen problemet e vendit

Aktuale February 27, 2020 - 11:13

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj, në një intervistë për “Zërin”, duke i komentuar vendimet e kryeministrit Albin Kurtit për shfuqizimin e vendimeve të qeverive paraprake, si dhe shkarkimin e zyrtarëve të punësuar në borde të ndërmarrjeve publike, i ka cilësuar ato si lojë politike, që kanë për qëllim kamuflimin e paralajmërimeve për heqjen e taksës, shkruan gazeta "Zëri"

Zëri: Znj. Reshitaj, nga udhëheqja e qeverisë partia juaj AAK-ja kaloi në opozitë, me ç’rast nga zgjedhjet e 6 tetorit mandatin për udhëheqje e fitoi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Cilat janë pritshmërinë tuaja nga qeveria “Kurti”?

Reshitaj: AAK-ja, gjegjësisht lideri Ramush Haradinaj në një moment të vështirë u detyrua të japë dorëheqje dhe t’ia kthejë besimin sovranit. Populli ua dha besimin kësaj here dy partive opozitare për të qeverisur (LDK-së e LVV-së). Normalisht pritjet janë që sidomos në temat nacionale, sepse në temat tjera ne presim një program qeverisës që ende nuk e kemi nga Qeveria dhe normalisht duhet fillimisht ta shohim atë program e mandej të presim disa muaj nëse i njëjti do të fillojë të zbatohet, pastaj të fillojmë të reagojmë nëse nuk zbatohet ose nuk qëndron në të mirë të vendit. Kurse në sferën nacionale presim që qeveria “Kurti” të qëndrojë stoike sa u përket interesave të vendit dhe të bashkëpunojë me partitë opozitare, që bashkërisht të marrim një vendim të rëndësishëm që t’i shtyjmë proceset përpara. Është e pamundur me kokëfortësi, me rebelizëm, të zgjidhet problemi nacional në Kosovë, prandaj konsideroj se duhet bashkëpunim në këtë sferë.

Zëri: Deri më tash kemi parë që kryeministri Kurti ka shfuqizuar disa vendime, që janë marrë gjatë qeverisjes së kaluar, duke përfshirë këtu edhe ngritjen e pagës 100%, vendim ky i marrë nga z. Haradinaj. Si i keni parë ju këto vendime?

Reshitaj: Do të doja të besoj se këto vendime që po merren me të vërtetë ta kenë qëllimin në meritokraci dhe t’u japin mundësi kuadrove që me të vërtetë e meritojnë të udhëheqin në pozita të caktuara. Nëse qëllimi është ky, atëherë ne e përgëzojmë, mirëpo kam frikë fillimisht në ngutjen e marrjes së këtyre vendimeve menjëherë 10 ditë pas formimit të Qeverisë edhe mosprocedimin e proceseve nëpër këshilla, nëpër faza për të arritur te një suspendim ose te një shkarkim, pak lënë të dyshosh që këto veprime po bëhen për t'i larguar disa njerëz dhe për t’i vendosur disa të tjerë, fatkeqësisht militantë të një partie e pastaj të vendosen militantë të partive tjera. Do të doja të besoj që të gjitha këto shkarkime të jenë të bazuara në ligj, të jenë respektuar kornizat ligjore, dispozitat ligjore dhe qëllimin e vetëm ta kenë të mos u lejohen këto borde të rëndësishme njerëzve keqpërdorues. Por kjo ngutje lë frikë për dy gjëra: e para, për ta kamufluar një vendim shumë të rëndësishëm të vendit tonë, siç është rifillimi i dialogut Kosovë - Serbi dhe e dyta, thjesht mosaftësia për ta marrë një vendim të tillë çfarë është dhënë si mesazh gjatë fushatave parazgjedhore, reciprociteti, pra fillimi i këtij procesi. Vlerësoj se gjithë këto shkarkime janë një lojë politike jo e shëndetshme sidomos për qytetarët tanë.